Burri vrau gruan, të gjithë heshtën! Askush nuk njoftoi Policinë
”Indiferenca” ndaj dhunës ndaj gruas, mbetet një problem i ndjeshëm në vend. Vrasja e Hajdie Tasunit në mes të ditës, në një nga rrugët më të frekuentuara të Durrësit nuk u dëgjua dhe nuk u raportua nga askush. 58-vjeçarja u godit nga bashkëshorti me hekurin që përdorej për uljen e qepenit të dyqanit të tyre të metrazheve, pas një debati të nxehtë mes tyre por që askush në bizneset ngjitur me dyqanin e metrazheve nuk reagoi. As nuk njoftuan policinë përmes një telefonate. Të frikësuar apo indiferentë për atë që ndodh rreth e përqark, janë të shumtë ata që pohojnë se s’kanë parë a dëgjuar gjë deri në mbërritjen e policisë. Jashtë kamerave, pranojnë se nuk besojnë në ruajtjen e anonimatit në rast denoncimi.
”Ne vetëm pamë policinë. Thamë se po rrifeshin se unë nuk shoh kështu gjërash. Ata s’kanë dalë në rrugë të zihen. Nuk na ka rastis. Ata nuk janë budallenj të zihen në rrugë. Po të na qëllojë, patjetër që do të njoftojmë. Një ngjarje e rrallë në kuptimin negativ. Pa fjalë. Kam pas dyqanin afër me ta. Nga aparenca dukej i urtë. Edhe ajo gruaja shumë e urtë. Feja thotë mos vrit e të sillesh mirë me gruan e fëmijët. Është dhe ekonomia. Po, nuk e di nëse ata kishin probleme ekonomike. Njeriu duhet të bëjë mirë. Jo keq. Të gjithë kanë probleme, grindje në familje, po duhet të tërhiqesh e të bësh saber”,-shprehen disa nga banorët.
Rezarta Agolli, avokate mbrojtëse e grave të dhunuara, thotë se shteti duhet të funksionojë. Ajo thekson se mekanizmi i dhunës nuk po funksionon. ”Duhet patjetër të fillohet me urdhrat paraprak të mbrojtjes nga ana e policisë. Mendoj se faktat, rrethanat nuk paraqiten në organet ligjzbatuese ndaj jemi në këtë gjendje. Duhet të funksionojë bashkia e Durrësit që është institucioni i parë që duhet të punojë për parandalimin e dhunës familjare e më pas të gjitha hallkat. Mendoj që institucionet nuk po veprojnë siç duhet. Asnjë nuk po bën punën e tij”.
Shqipëria është vendi që ka numrin më të lartë të vrasjeve të grave në Europë. Raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zbuloi në 2019 se edhe pse numrin më të lartë të vrasjeve të grave e ka Lituania, vendi ynë kryeson Europën për vrasjet nga bashkëshortët. Specialistët thonë se shkaku kryesor mbetet mentaliteti. Ekspertët thotë se parandalimi i këtij fenomeni duhet parë te edukumi. Qendrat e këshillimit të grave janë në shërbim 24 orë për të ndihmuar ato që gjenden në situata të vështira. Në shumicën e rasteve ndihma kërkohet kur dhuna ka arritur në nivele ekstreme.