Bursa për nxënësit e Medresesë, KMSH dhe Qendra e Bamirësisë “Mbreti Selman” ndihmojnë 154 fëmijë
154 nxënës të Medresesë së Tiranës dhe Elbasanit do të mbështeten me bursa për vitin shkollor 2021-2022. Fondi është në vlerën e rreth 300 mijë dollarëve ndërsa fëmijët që përfitojnë janë pa kujdes prindëror ose vijnë nga familje në vështirësi ekonomike.
Nisma është ndërmarrë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me mbështetje të Qendrës së Bamirësisë “Mbreti Selman” dhe nën kujdesin e Ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë.
Delegacioni nga Arabia Saudite, me në krye Ambasadorin, Fajsal Gazi Hifdhi dhe përfaqësuesin e qendrës humanitare, Abdulaziz Othman u takuan me kreun e Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu dhe drejtuesit e medreseve.
Kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar dhe për marrëdhënien e mirë institucionale që deri më tani është konkretizuar në disa marrëveshje bashkëpunimi. “E theksoj arsyeja pse jemi mbledhur për një nga çështjet që feja jonë islame e stimulon aq shumë siç është mbështetje e nxënësve për tu arsimuar”.
Ambasadori Fajsal Gazi Hifdhi, u shpreh se projekti e ka pikënisjen në marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet dy popujve tanë dhe në udhëzimet e drejtpërdrejta të Mbretit Selman bin Abdulaziz.