Bushati BE-së: Përgjigje kolektive krizës së emigrantëve

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati mori pjesë në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE, i cili u zhvillua në Luksemburg.

Përveç ministrave të vendeve anëtare, në takim morën pjesë edhe Ministrat e Jashtëm të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, Shqipërisë, Turqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Diskutimet gjatë këtij takimi u përqendruan në çështjet e mprehta me të cilat po përballet sot kontinenti ynë si çështjet me karakter humanitar, Ukraina dhe marrëdhëniet me Rusinë, situata e sigurisë brenda BE-së dhe në rajonet fqinje me të, ekstremizmi, terrorizmi dhe luftëtarët e huaj.

Në fjalën e tij gjatë takimit, ministri Bushati u shpreh se kriza e emigrantëve që ka goditur Europën kërkon një përgjigje kolektive.

“Vala e refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe jugu i Mesdheut përben një fenomen tepër të ndjeshëm për ne, sepse sjell në mendje kujtimet e viteve ’90 kur filluan largimet masive në Ballkan pas rënies së regjimeve totalitare e me pas shpërnguljet nga luftrat në ish-Jugosllavi.

Vala e refugjateve si një krizë e pa precedentë që ka goditur Evropën përbëhet nga një sërë elementesh që vendosin në sprovë aftësitë e të gjithëve dhe që kërkon një përgjigje kolektive, instrumente solidarizues për të akomoduar refugjatët, luftuar rrjetet e trafikantëve dhe elementeve terroristë që mund të kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë”, u shpreh Bushati.

Gjithashtu, Bushati dhe homologët e vendeve të tjera kandidate zhvilluan dhe një audiencë me Duken e Madh te Luksemburgut Madhërinë Henry.

SHKARKO APP