Bushati: Për të fituar mandatin e tretë, PS ka nevojë për një ekip dinjitoz

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, thotë se nëse PS-ja ka qëllim për një mandat të tretë qeverisë, ka nevojë për një ekip dinjitoz. ”Për të rifituar besimin e njerëzve për një mandat të tretë dhe për të mos i kthyer shpinën asnjë socialisti, asnjë demokrati, asnjë progresisti që na ka besuar që nga dita e parë në qeverisje”.

Pjesë nga intervista për ”Ora News”

Kur flitet për Ditmir Bushatin ka mjaft interes për opinionin publik për marrëdhënien tuaj me PS! Pasi kemi parë shpesh për kritikat tuaja në mbledhjet e grupit apo seanca plenare. Në seancën e fundit, ju keni kritikuar ashpër qeverinë për privatizimin e Porto Romanos si dhe i keni kërkuar qeverisë shqiptare, mazhorancës tuaj, që të ndahet nga oligarkia dhe të mos ju kthejë kurrizin qytetarëve shqiptarë! Çfarë duhet të bëjë qeveria?

Unë jam aktivist, eksponent i PS. E konsideroj PS organizatën dhe familjen time. Në të gjitha funksionet që kam patur dhe kam besoj se detyra ime është që të kontribuoj që PS të jetë forca politike më e rëndësishme në Shqipëri dhe të jete forca politike më tërheqëse për qytetarët e këtij vendi. Jemi në vitin e 7 të qeverisjes, kemi fituar besimin dhe zemrat e qytetarëve në vitin 2013, bazuar mbi një program politik që me modesti mund të them që unë kam kontributin tim në shkrimin dhe komunikimin e këtij programi. Kemi rifituat besimin në 2017, gjithashtu bazuar në një program politik qe me pas është transformuar në program qeverisës. Kam kontributin tim si shkrues i atij programi.

Jam përpjekur qoftë në mbledhjet e kryesisë së PS-së në mbledhjet e saj sa herë tema të tilla janë trajtuar apo në grupin parlamentar apo në Parlament për të thënë mendimin tim në funksion të përmirësimit të shënjestrës politike dhe qeverisëse. Besoj se demokracia partiake, demokracia institucionale mund te shëndoshet me tej vetëm me një debat të hapur dhe të sinqertë. Lodhemi se si të gjejmë përgjigjet më të mira qe kanë lidhje të drejtpërdrejtë mirëqenien e qytetarëve. Bie fjala, ne jemi partia e cila në programin e saj politik ka në qendër te vëmendjes shtresën e mesme, shtresën e te pamundurve, që nga intelektuali, mjeku, arsimtari, punëtori i krahut, bizneset e vogla, bizneset e mesme, bizneset e mëdha. Ka në qëndër të vëmendjes barazinë, shanset dhe mundësinë. Jo thjesht barazinë para ligjit.

Është partia e cila duhet të vazhdojë të punojë për të korrigjuar pabarazinë, për të korrigjuar padrejtësinë. Në rast se nuk korrigjohet do të përhapet në trupin e shoqërisë siç përhapen metastazat në trup duke shkaktuar plagë të tjera. Në këtë pikëpamje vijoj të besoj dhe do të vijoj të kontribuoj duke qënë se ne do të hyjmë në fazë të rëndësishme politike brenda forcës ku bëj pjesë për te pasur një analizë sa më të plotë, jo vetëm arritjet tona të padiskutueshme gjatë 7 viteve, por edhe të identifikimit të nevojës për të ndryshuar shumçka që është e nevojshme për të rifituar besimin e njerëzve për një mandat të tretë dhe për të mos i kthyer shpinën asnjë socialisti, asnjë demokrati, asnjë progresisti që na ka besuar që nga dita e parë në qeverisje.

Zoti Bushati qëndrimit tuaj për lidhjen e qeverisë me Oligarkinë, keni kritikuar edhe ligjin për antishpifjen, keni kërkuar edhe dekriminalizimin në PS. A i diskutoni këto çështje në mbledhjet e forumeve dhe a i pranon PS mendimin ndryshe?

Ditmir Bushati: E drejta e shprehjes së mendimit është një e drejtë themelore. Është një e drejtë, e cila në thelb e pasuron jetën politike dhe jetën partiake. PS është një forcë e madhe, është partia e njerëzve të intelektit, partia e njerëzve të punës dhe partia e komuniteteve. Por si për çdo forcë politike, për më tepër kur je në qeverisje nuk ke imunitet absolut për fenomenet unë kam folur. E rëndësishme është që për të gjitha këto fenomene ne të kemi recetat e duhura dhe të projektojmë rrugën e re drejt mandatit të 3. Në mendimin tim nuk ka një forcë konkurruese ndaj PS, por kjo nuk mund të na bëjë që të ndihemi të vetëkënaqur, që të mos kemi nevojë për një debat të ndershëm brenda radhëve tona, për një debat me shoqërinë për sfidat që ne duhet të përballojmë. Le të mos harrojmë që jemi në vitin 2020, sapo kemi filluar dekadën e 4 të tranzicionit që nga shembja e komunizmit dhe nqs deri para pak kohësh nafta ishte produkti më i kuotur në bursë, apo më i shtrenjti në treg, sot janë të dhënat. Prandaj jetojmë në një botë krejt tjetër që ndryshon me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe për këtë arsye nevojiten përgjigje të reja dhe zgjidhje të reja.

A keni frikë se mund të përjashtoheni nga kjo parti për shkak të qëndrimeve tuaja?

Unë do të vazhdoj që të shërbej në PS. PS, socialistët, kolegët, kryetari më kanë dhënë mua mundësinë për të pasur disa funksione qoftë shtetërore, qoftë politike. Besoj se kontributi im në PS do të vazhdojë dhe jam gjithashtu i vlerësuar për çështjet që unë kam patur pikëpyetjet e mija janë trajtuar qoftë heshturazi apo në mënyra të tjera. Por, e thashë edhe pak më lart, ne po hymë në një fazë vendimtare, jemi vetëm një vit larg zgjedhjeve dhe besoj se kontributi i secilit do të vlerësohet për të patur një platformë edhe më të qartë për Shqipërinë e viteve që po vijnë. Dhe për të pasur një ekip sa më dinjitoz!

SHKARKO APP