Bushati: Rama njëlloj si Berisha, po vret pluralizmin në PS

 

Qeverisja e vendit, drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka qenë temë e bisedës së zhvilluar në studion e ZULULAND këtë të hënë.

Mustafa Nano ka patur të ftuar një nga kritikët më të fortë të kryeministrit Edi Rama, gazetarin dhe analistin e njohur Andi Bushati.

Bushati i qëndroi besnik mendimit të tij se asgjë nuk ka ndryshuar nga ndryshimi i pushteteve.

Unë po shoh, që ndërron Berisha me Ramën në pushtet, por nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe. Klientët e Berishës janë të njëjtët klientë të Ramës. Media që frikësoheshin dje nga Berisha, sot po blihen nga Rama. Unë kam arritur në përfundimin që duhet të themi se janë të gjithë njëlloj, sepse vetëm kështu mund të krijojmë premisa, që të lindë diçka e re dhe të thotë “ikni zhdukuni se jeni të gjithë njësoj”, tha Bushati.

Duke replikuar me Bushatin Nano, tha se “një nga mënyrat më të mira sesi të mbash anë, është të mos mbash anën. Mban anë duke mos mbajtur anë”.

Më tej Bushati tha se do të ishte më mirë që të krijohej një opozitë e shëndoshë dhe të prisnin shqiptarët edhe katër vite nën qeverisjen e Berishës, sesa “të kemi sot po Berishën, që e shohim përditë në parlament dhe sot gjithë pushtetin e kanë ish-klientë e tij”.

I përfshirë në debat me Bushatin, Mustafa Nano tha se në Partinë Socialiste ka ende pluralizëm ndryshe nga ç’po ndodh në krahun tjetër, atë të PD-së, ku nuk "pipëtin asgjë".

Berisha e zgjodhi Bashën kryetar të PD-së, por i tha kryetari yt jam unë”, theksoi Nano.

Ndërsa Bushati mbrojti idenë se Rama po tenton të kthehet në një lider të përjetshëm dhe fakt për këtë sipas tij është mosmbajtja e zgjedhjeve brenda partisë.

“S’do fare as konkurencë për kryetar partie. Ka replikë të hapur, kryetari që është kryeministër nuk konkurron. Ka shpikur një kinezeri të paparë”, tha Bushati, i cili më tej u shpreh se i druhet faktit, se për shkak të Ramës PS-ja do të katandiset si PD-ja, një parti ku mungon pluralizmi i ideve dhe mendimi ndryshe.

TEMA

SHKARKO APP