Bushati-Tahiri, takim me komunitetin shqiptar të Greqisë

Në kuadër të vizitës në Selanik, ministrat Bushati dhe Tahiri zhvilluan një takim me komunitetin shqiptar që jeton në Greqinë e Veriut.

Ministrat vlerësuan rolin e pazëvendësueshëm të komunitetit shqiptar në Greqi si një urë solide në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe çmuan kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve.

Ministrat Bushati dhe Tahiri i njohën të pranishmit me ligjin “Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”. Kjo nismë do të krijojë mundësinë për të pasur të dhëna konkrete dhe të besueshme për të gjithë shqiptarët me banim jashtë vendit, mbi shtrirjen e tyre gjeografike dhe strukturën demografike, me qëllim përmirësimin e shërbimeve që do u ofrohen.

Në këtë kontekst, ministri Bushati paraqiti prioritetet e reformës së shërbimeve konsullore, duke vënë theksin në rishikimin tërësor të politikave tarifore për shërbimet që ofrohen në sportelet konsullore, i cili ka rezultuar në uljen e dukshme të kostove për shtetasit tanë që jetojnë jashtë vendit. Krahas rritjes së aksesit të publikut për informacion, kjo reformë synon gjithashtu zgjerimin e gamës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve konsullore.

Iniciativa për dhënien e certifikatave pranë sporteleve tona konsullore që aplikohet në Itali është vetëm fillimi i një përpjekjeje që do të pasohet nga projekti i “Konsullatës Dixhitale”, i cili synon që një pjesë e mirë e shërbimeve konsullore të ofrohen brenda një platforme online, duke modernizuar kësisoj shërbimin, duke rritur transparencën, aksesin ndaj informacionit dhe duke shkurtuar procedurat.
Reforma në shërbimet konsullore që ka ndërmarrë Qeveria, ka për objektiv kryesor përmirësimin dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve konsullore, përshpejtimin e procedurave,  dhe uljen deri në masën 50% të tarifave konsullore për shtetasit tanë.

Ministri Bushati shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të punuar së bashku me palën greke që të njëjtin shërbim për lëshimin e certifikatave të lindjes, familjare, të martesës dhe të vdekjes për shtetasit shqiptarë që ofrohet në Konsullatat tona në Itali, të ofrohet edhe në Greqi.

Ai “ofrimi i këtyre shërbimeve konsullore përbën një hap të rëndësishëm për bashkëkombësit tanë, në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe transparente dhe sa më pak të kushtueshme. Këto shërbime përbëjnë një formë moderne të asistencës ndaj qytetarëve tanë, të cilën synojmë ta shtrijmë në Greqi dhe në vende të tjera me prani të madhe të komuniteteve shqiptare”.

SHKARKO APP