Busti i Gjergj Kastriot Skënderbeut, në parkun qendror të Budapestit
Busti i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut, do të vendoset në Parkun Qendror të Budapestit në Hungari. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me Kryeministrin Edi Rama, ndodhen për një vizitë zyrtare në Budapest, vizituan parkun, ndër më të frekuentuarit nga qytetarët hungarezë, ku Bashkia e Tiranës po kurorëzon brenda pak javësh nismën e iniciuar vite më parë.
“Kjo është një iniciativë që ka filluar që në kohën tuaj, – iu drejtua kryebashkiaku Veliaj kryeministrit Rama, – kur keni qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, për të vendosur bustin e Skënderbeut në Parkun Qendror të Budapestit. Në datën 5 korrik ne do të kemi inaugurimin dhe një ceremoni në Budapest. Na është dhënë vendi qendror, tek ura që lidh dy pjesët e parkut. Busti është punuar nga Agim Rada dhe Agjencia jonë që merret me monumentet, kështu që është kontribut i Bashkisë për Bashkinë këtu. E kemi me të drejtë autori, copyright nga familja Paskali”.
“Ajo që ka rëndësi është që vendi është shumë pikant, nuk është një vend dosido,” nënvizoi Kryeministri Rama.
Veliaj tha se edhe mbretëresha Geraldinë do të ketë gjithashtu një monument te sheshi i Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë.