Busti i Ismail Qemali në Prishtinë, Rama: Bashkimi kombëtar, jo në dëm të fqinjëve (FOTO)

 


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së zbulimit të shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë, pasi çmoi Ismail Qemalin për punën e tij për pavarësinë e Shqipërisë, theksoi se Shqipëria u është zotuar SHBA­ve dhe BE­së, se bashkimin kombëtar nuk do ta bëjë në mënyrën klasike, por brenda familjes europiane.

Rama në Prishtinë “Kur Ismail Qemali u kërkonte fqinjve të respektonin fjalën e dhënë për moscenimin e integritetit tonë, ai nuk bëhej zelltar i marrëveshjeve apo i interesave të mbrapshta. Ashtu si ai edhe ne nuk e shkelim zotimin tonë ndaj SHBA­ve dhe BE­së se bashkimi ynë kombëtar do të ndodhë brenda familjes europiane”, tha kryeministri Rama.

Më tej Rama tha se nuk ka kurrfarë nacionalizmi të verbër mes shqiptarëve, por vetëm patriotizëm dashamirës. Ai kujtoi se shqiptarët e Maqedonisë nuk kërkojnë asgjë më shumë se zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe se shqiptarët e Preshevës, nuk kërkojnë asgjë më tepër se sa të trajtohen njësoj si serbët e Kosovës.

“Kur shqiptarët e Maqedonisë ngrenë zërin, nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa të drejtat e tyre, të piketuara në Marrëveshjen e Ohrit. Kur shqiptarët e Preshevës ngrenë zërin, nuk kërkojnë asgjë më shumë nga çfarë kanë serbët e Veriut të Kosovës”, tha Rama. Rama vlerësoi se tepërmi figurën e Ismail Qemalit, duke e cilësuar si figurën më të madhe të shtetit shqiptar.

Ai tha se më në fund, Ismail Qemali erdhi me këmbët e veta edhe në Prishtinë.

“Kur nga dheu skalitet një përmendore e Ismail Qemalit, është flamuri shqiptar që përjetësohet përsëri. Sa herë një shtatore e plakut të madh, lartësohet para nesh, është pavarësia që shpallet e jona. Shtatorja e Ismail Qemalit nuk do të lëvizë nga ky shesh si gur i rëndë. Rrugëtimi i tij nëpër shumë qytete të Shqipërisë dhe kancelarive europiane për të përfunduar te pavarësia nuk do të ishte i përmbushur pa ndalesën në Prishtinë, vendin e themelit të qytetërimi shqiptar në këto troje. Ismail Qemali vjen në Kosovë me këmbët e veta dhe së fundmi prehet me shpirtin e tij rrezatues në këtë tokë të çliruar dhe të pavarur një herë dhe përjetë”, tha kryeministri Rama.

 

SHKARKO APP