Buxheti 2020, Manastirliu: 26 milionë dollarë investimet në shëndetësi

Buxheti për sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2020 parashikohet të jetë 77 miliardë e 735 milionë e 940 mijë lekë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka paraqitur para Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë prioritetet e buxhetit për vitin 2020, duke theksuar se buxheti ka pësuar rritje krahasuar me 2019 me synim vazhdimin e mbështetjes së programeve në shëndetësi dhe mbrojtje sociale. ”Buxheti për sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2020 ka një rritje me 4%, krahasuar me 2019. Vetëm për sektorin e shëndetësisë rritja e buxhetit, krahasuar me buxhetin e vitit 2013 është 48% më shumë. Gjatë vitit 2020 financojmë 26 milionë dollarë vetëm për investimet në shëndetësi”.

Buxheti i vitit 2020 do të mbështesë politika të reja shëndetësore. ”Për herë të parë financojmë me buxhetin e ri transplantin e palcës së kockës, hapim shërbimin e ri të kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar ”Shefqet Ndroqi” dhe nisim për herë të parë programin kombëtar të kancerit të gjirit me vendosjen e mamografisë së detyrueshme”. Me buxhetin 2020, rindërtohen 120 qendra shëndetësore, rehabilitohet dhe zgjerohet materniteti ”Mbretëresha Geraldinë”, vijon puna për ndërtimin e maternitetet të Beratit, Lezhës dhe Kukësit, pediatrisë së Durrësit, vijon modernizimi i Qendrës Spitalore Universitare ”Nënë Tereza” me ndërtimin e spitalit të ri modern të sëmundjeve të brendshme me vlerë 14.28 milionë euro, si dhe për spitalin e ri të pediatrisë me vlerë 9,1 milionë euro.

Manastirliu theksoi se kujdesi ndaj nënës dhe fëmijës janë prioritet i qeverisë shqiptare. ”Buxheti i vitit 2020 mbështet financimin në vlerën 2 miliard lekë për bonusin e bebes, si një politikë pro natalitetit dhe që shkon direkt për mbështetjen e familjeve të reja”. Ministrja Manastirliu gjatë prezantimit të buxhetit 2020 është ndalur tek programet dhe investimet që do të prekin mbrojtjen sociale. ”Buxheti i vitit 2020 do të financojë pagesat e personave me aftësi të kufizuar për rreth 166 mijë përfitues dhe me reformën e re të aftësisë së kufizuar do të përfshihen të gjithë ata persona që përjashtoheshin nga ligji i sigurimeve shoqërore, persona me aftësi të kufizuar që nuk e përfitonin KMCAP për shkak se nuk kishin një vit të siguruar në 5 vitet e fundit. Buxheti i ri do të mbulojë pagesat për rreth 66 familje në ndihmë ekonomike”.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?