Buxheti për tërmetin, Qeveria planifikon 162 mln euro për rindërtimin

Qeveria do të marrë 105 milionë euro vitin e ardhshëm për të financuar programin e rindërtimit nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Komisioni i Ekonomisë ndryshoi projektbuxhetin për vitin 2020 duke rritur me 13 miliardë lekë ose shtesë deficitin e parashikuar buxhetor.

Sipas ndryshimeve të reja, huamarrja e qeverisë për vitin e ardhshëm do të jetë 42 miliardë lekë nga 29 miliardë që ishte parashikuar në draftin fillestar të projektbuxhetit. Ndërsa në raport me prodhimin kombëtar, deficiti rritet nga 1.6 për qind që ishte parashikuar në 2.25 për qind.

Sipas tabelave të ndryshuara të projektbuxhetit, në total fondi që vihet në dispozicion të rindërtimit do të jetë 20 miliardë lekë. Vec 13 miliardë lekëve që do të merren borxh, qeveria pret të arkëtojë 7 miliardë lekë të tjera nga donacionet, që vijnë nga qeveritë e huaja, biznesi dhe qytetarët.
Nëse qeveria do të arkëtojë më shumë se 7 miliardë lekë nga donacionet, atëherë fondi total I rindërtimit rritet automatikisht me po të njëjtën masë.

Rritja me 13 miliardë lekë e deficitit buxhetor nuk e ndryshon trajektoren rënëse të borxhit publik si përqindje ndaj prodhimit kombëtar. Sipas llogarive të qeverisë, borxhi do të vazhdojë të ulet edhe vitin që vjen ndonëse me një ritëm më të ulët nga sa ishte parashikuar duke ngadalësuar kështu procesin e konsolidimit.

Veç caktimit të fondit 20 miliardë lekë, komisioni I ekonomisë miratoi edhe heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar për lëndët e para që do të përdoren në ndërtimin e banesave të reja si dhe kompanitë ndërtuese që do të angazhohen në këtë proces.

SHKARKO APP