Buxhuku: Kriza e Covid-19 po transmetohet në formë virale, një mbyllje e dytë e ekonomisë do ishte vetëvrasje
Ekonomia në vend ndodhet në një situatë tepër të vështirë, shkaktuar nga kriza e Covid-19.
Për kreun e Konfindustrias Gjergj Buxhuku, kriza ekonomike si pasojë e pandemisë, po transmetohet në formë virale.
Gjergj Buxhuku: ”Ajo çka u krijua nga pasojat e mbylljes në rastin e Covid-19, dihej që do të ishte një krizë e cila do të transmetohej në formë virale. Pikërisht në këto muaj, ku ne kemi tashmë 5 muaj, që Shqipëria u fut në këtë vorbullën e pasojave ekonomike dhe krizës së Covid-19, tashmë po shohim pasojat. Këto pasoja në muajt e parë mbase nuk dukeshin, sepse ishin rezervat ato që hidheshin në funksionim, në qarkullim, bizneset kishin një farë pritshmërie se situata do të përmirësohej shpejt. ”
Në një lidhje përmes Skype për ”Ora News”, Buxhuku tha se tashmë po ndjejmë edhe efektet e krizës së industrisë së turizimit, për shkak të mbylljes globale.
Gjergj Buxhuku: ‘‘Tashmë po shikojmë pasojat e një krize tjetër e cila në fakt nuk është për fajin tonë, por për faj të mbylljes globale, e cila është rënia dramatike e shifrave të industrisë së turizmit. Industria e turizmit në Shqipëri, nuk është një industri e ndarë, por ajo është pjesë e një zinxhiri të madh të ekonomisë shqiptare, duke filluar nga bujqësia, transporti. Është një problematikë që ka filluar të ndihet dhe mendoj se është e tillë dhe do të thellohet edhe në vazhdim.”
Sipas tij, një mbyllje e dytë e ekonomisë do ishte vetëvrasje. Buxhuku mendon se përderisa nuk njihet natyra e virusit, nuk mund të vetëasgjesohemi duke ndërmarrë masa të tilla.
Gjergj Buxhuku: ”Ne kemi renditur të gjitha arsyet, pse Shqipëria nuk ka vend, jo për mbyllje të dytë që nuk diskutohet, por nuk kishte vend edhe për mbyllje e parë. Të paktën në atë masë drastike që u ndërmor në Shqipëri. Nuk është se rregulloi diçka nga ana shëndetësore. Këto janë pandemi, të cilat kur nuk e njeh se çfarë ndodh me të, e ke të vështirë të predikosh masa. Edhe masat e predikuara ishin më tepër masa të karakterit psikologjik, sesa të karakterit të drejtpërdrejtë shëndetësor. Fatura ekonomike ishte shumë e lartë. Ne llogaritëm faturën ekonomike mbi 2 miliardë euro dëme gjatë muajve mars, prill, maj dhe sa më shumë jashtë normalitetit të plotë që të jemi, aq më tepër kjo faturë. Pra, neve nuk duhet të na shkojë mendja për të bërë vetëvrasje për të ndërmarrë një mbyllje të dytë. Përderisa nuk e njeh natyrën e nuk mund të vetëasgjesohesh. ”