Bylykbashi: Çdo veprim i njëanshëm minon marrëveshjen e 5 qershorit
Pas votimit me 100 vota në Kuvend të paktit të 5 Qershorit, Këshilli Politik zhvilloi mbledhjen e fundit këtë të enjte për pjesën e parë të Reformës Zgjedhore.
Pas mbarimit të mbledhjes, përfaqësuesit e PD-së dhe LSI, përkatësisht Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili thanë se Kodin Zgjedhor e ndryshuan për 6 muaj, ndërsa theksoi se Rama kërkon ta ndryshojë Kushtetutën për 6 ditë.
Palët miratuan paketën e ligjeve që do të amendohen në Kodin Penal, në Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për Policinë e Shtetit, për Sinjalizuesit, për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe për partitë politike.
Përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës parlamentare kanë kërkuar që në këtë mbledhje të hapin diskutimet për ndryshimet kushtetuese që pritet të miratohen në Kuvend seancën e 30 korrikut, por opozita e bashkuar e ka refuzuar kategorikisht një gjë të tillë.
Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik mbajtën një qëndrim në takimin e radhës, duke deklaruar se çdo ndryshim duhet të kalojë në Këshill.
“Opozita i qëndron marrëveshjes së 14 Janarit dhe të 5 Qershorit. Çdo ndryshim që lidhet me zgjedhjet duhet të kalojë nëpërmjet Këshillit Politik, me konsensus, transparencë dhe gjithëpërfshirje. Për çdo ndryshim lidhur me zgjedhjet e domosdoshme ekspertiza e OSBE-ODIHR. Asnjë ndryshim nuk duhet të jetë në kundërshtim me standardet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias”, thuhet në qëndrimin e opozitës.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik tha se çdo veprim i njëanshëm minon dhe nxjerr nga shinat marrëveshjen e 5 qershorit dhe produktin e saj.
“Opozita miratoi sot pjesën tjetër të marrëveshjes së 5 qershorit: Çështjet për shitblerjen e votës dhe çdo vepër tjetër penale që dëmton zgjedhjet. Një paketë që sot u dakordësua. Ajo që është miratuar këtu, duhet miratuar pa ndryshime. Sigurisht kjo nuk e përmbyll marrëveshjen e 5 qershorit, pasi kemi edhe administratën zgjedhore. E bëmë të qartë se çdo veprim i njëanshëm minon dhe nxjerr nga shinat marrëveshjen e 5 qershorit dhe produktin e saj, dhe nuk është produkt i Këshillit Politik është e papranueshme”, tha Bylykbashi.
Përfaqësuesi i PD-së deklaroi se mazhoranca kërkon që të shkojë në pazaret e dyerve të mbyllura.
“Ata kërkojnë që t’i heqin mundësinë shqiptarëve që të votojnë një ofertë publike të partive politike, pasi duan që të shkojnë tek pazaret me dyer të mbyllura”, deklaroi Bylykbashi.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili.
“Një çështje tjetër e hedhur në tavolinën e Këshillit Politik ka të bëjë me listat e hapura. Propozimi është depozituar vetëm para dy ditësh. Është imponuar që të kryhet brenda 6 ditësh. Për Kodin u deshën 6 muaj, kërkohet që për Kushtetuta të ndryshojë për 6 ditë. Bëhet fjalë për ndryshime që nuk janë për të zgjidhur hallet.Keni parë që në emër të popullit flasin hajdutët e votave të popullit. Dosjet 184 dhe 339 kanë këta për autorë. Çdo pretendim për mungesë vullneti nga opozita është i kundërt. Duam datë, kohë dhe verdiktin se ku do të shkojnë. 5 qershori ndan zgjedhjet normale nga ato të manipuluara. Ky vullnet është bindja e një opozite serioze”, u shpreh nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.