Letra e opozitës për mazhoracën. Bylykbashi: PS refuzon t’i drejtohet ODIHR. Po shkatërron konsensusin
Përfaqësuesi i PD në këshillin politik, Oerd Bylykbashi thotë se PS po dëmton konsensusin për reformën zgjedhore . Në një deklaratë për mediat, para nisjes së mbledhjës, Oerd Bylykbashi u shpreh se ky qëndrim i PS, duke mos i dërguar kërkesën ODIHR rrezikon edhe hapjen e negociatave.
“Ka më shumë se dy javë që opozita ka kërkuar si pikë të parë të rendit të ditës që ti drejtohemi ODIRH për çështjen e garimit të lirë të partive politike në koalicion sic janë sot. Ka më shumë se dy javë PS refuzon ti dërgojë kërkesën ODIHR që është shkelje e 14 janarit. Me këtë veprim PS po pengon këshillin politik, nëse vazhdon më ketë rrugë dëmtohet konsensusi dhe vihet në rrezik hapja e negociatave”, u shpreh Oerd Bylykbashi.
Ditën e sotme përfaqësuesit e opozitës së bashkuar në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, i dërguan një letër tjetër PS, që OSBE/ODIHR të pranohet si mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Sipas opozitës së bshkuar, për këtë palët kanë rënë dakord që në marrëveshjen e 14 Janarit, kur u ngrit Këshilli Politik për të plotësuar 1 nga 15 kushtet e BE, reformën konsensuale zgjedhore. “Është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që, me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it”, theksojnë përfaqësuesit e opozitës.
LETRA E PLOTË E PËRFAQËSUESVE TË OPOZITËS
Z. Gjiknuri,
Këshilli Politik funksinon vetëm mbi tërësinë e rregullave të marrëveshjes politike të 14 janarit 2020 dhe mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke iu drejtuar OSBE/ODIHR-it është rregull themelor i saj. Pa zbatimin e këtij mekanizmi nuk ka zgjidhje të pranuara siç përcakton marrëveshja dhe pa zgjidhje të pranuara nuk ka konsensus në reformën zgjedhore. Konsensusi është mekanizmi themelor i funksionimit të Këshillit Politik si instrumenti vendimarrës për çdo ndryshim të Kodit Zgjedhor.
Mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë kanë qenë të qarta që palët në Këshill të kërkojnë konsensusin në kuadër të Këshillit Politik. Reforma zgjedhore konsensuale është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave për antarësim në BE. Është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore që tashmë është shtruar publikisht dhe zyrtarisht në Këshill nga opozita, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it.
Qëndrimi juaj refuzues i shprehur në të gjitha seancat e Këshillit Politik që nga data 14 shtator e së fundmi me shkresën e datës 29 shtator 2020, është bërë pengesë dhe ka bllokuar funksionimin e Këshillit Politik si dhe ka minuar zbatimin e Marrëveshjes se 14 janarit. Bllokimi nga ana juaj i funksionimit të Këshillit Politik, refuzimi për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it, si dhe tentativa për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, po venë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Opozita do të vazhdojë të ngulë këmbë në Këshillin Politik që rregullat e funksionimit të tij të zbatohen të plota, konsensusi të jetë mekanizmi i vetëm. Në këtë kuadër ripërsërisim kërkesën tonë që Këshilli t’i drejtohet si hap i parë, pa asnjë vonesë tjetër, OSBE/ODIHR-it. Kjo do t’i hapë rrugë shqyrtimit të çështjeve të tjera ku rëndësi ka hapja e plotë e listave të kandidatëve.