Bylykbashi publikon pamjet: Në 20 vite, qeveritarët socialistë ia shuan Durrësit memorien nën beton
Ish-deputeti i Partisë Demokratike për Durrësin, Oerd Bylykbashi teksa ka publikuar në rrjetet sociale një video të qytetit të shpërfytyruar nga keqqeverisja lokale, shprehet se Durrësit, në 20 vitet që janë në pushtet në këtë qytet, qeveritarët socialistë i shuan memorien nën beton.
“Durrësit, në 20 vitet që janë në pushtet në këtë qytet, qeveritarët socialistë i shuan memorien nën beton.
Ia zhdukën qendrën e qytetit, siç e mbajnë mend durrsakët. Sot është një shesh që i ngjan çdo qendre qyteti në Lindjen e Mesme.
Lum kush ruan fotot e fëmijërisë për ta kujtuar atë qytetin e bukur buzë detit.
Por sot, në 2020-n, Durrësi është edhe realiteti i kësaj video.
Janë banorë të qytetit që lihen qëllimisht në mes të pisllëkut, mungesës së infrastrukturës dhe të shërbimeve. Ish-Këneta dhe zonat e tjera të periferisë, janë dëshmia e një pushteti që përbuz qytetarët e vet.
U merr paratë me taksa që shpenzohen për Velierën dhe ribërjen e rrugëve e lukse të kota çdo vit, sepse ashtu mund të vidhet më lehtë, ama këta banorë të Durrësit trajtohen si në bidonvilet e Botës së Tretë.
Ky është turp që merr fund me 25 prill 2021. Atë ditë vota vlen sa 20 vitet që ju kanë vjedhur!”, deklaron në reagimin e tij, ish-ligjvënësi i PD-së, Oerd Bylykbashi.