Bylykbashi: Punonjësit e administratës po regjistrohen si banorë të Durrësit. Harito: Ke probleme me kujtesën

 

Kuvendi u përfshi nga debatet gjatë diskutimit të ligjit për Nënpunësit Civil, ndërsa deputeti demokrat Oerd Bylykbashi akuzoi Qeverinë për largimet nga puna të punonjësve të administratës si dhe për kërcënimet që u bëhen atyre në lidhje me mbajtjen e një vendi pune përmes provimeve.

Duke u referuar edhe tek zgjedhjet vendore të 21 qershorit, Bylykbashi hodhi akuza të forta ndaj OSHEE dhe qeverisë se për shkak të frikës nga humbja në Bashkinë e Durrësit kjo kompani po i regjistron të gjithë punonjësit e saj në Durrës.

"Sot qeveria na sjell këtu të miratojmë një projektligj që shfuqizon dy paragrafët e parë të tij.

Dua të ndalem tek ligji i shërbimit civil që qeveria e mburr sikur kushedi çka bërë. Kjo është e vërtetë e dhimbshme sepse prej 4 vitesh këtë ligj e ka mbajtur peng opozita nën moton “Hap kutitë ose ik” në një seancë të posaçme ku miratuam ato tre ligjet që kërkonte BE dhe kjo e fundit na përgëzoi.

Nga ky ligj përfitonin 17 mijë përfitues kur ai të hynte me konsensus në 1 tetor sepse kishte një dispozitë që e jepte këtë garanci për të gjithë punonjësit. Në shtator qeveria e shtyu hyrjen në fuqi me 6 muaj. Gënjyen se ligji ishte i pazbatueshëm dhe se duhej ndryshuar. Në pamundësi për ta zbatuar e shtynë ligjin.

Ne kemi asistuar me qindra e mijëra  raste falas për punonjësit e shkarkuar që kanë fituar nga 10-12 paga që ende nuk i kanë marrë e megjithatë kjo ndikon në taksat tona se me taksat do paguhen këto rroga.

Qeveria do ta mohojë se janë 7 mijë persona të larguar nga puna. 2000 persona kanë lënë punën gjatë qeverisjes socialiste pavarësisht se ata kishin statusin e nënpunësit civil të cilët nuk kanë ikur me dëshirë por janë larguar ose janë kërcënuar e kanë dhënë më pas dorëheqjen.

Punonjësit janë larguar nga puna sepse këto vende pune do ti zinte çdo socialist, ndërsa LSI e kishte zgjidhur se u kërkoi atyre që të votojnë LSI se kështu do ti mbante ata në punë. Para zgjedhjeve qeveria po i bën presion punonjësve të shtetit përmes testimeve të supozuara duke i bërë kështu presion të hapur për vendin e punës dhe duke i  ndaluar që të përfshihen në fushat zgjedhore për të kontribuuar në partinë që ata duan.

OSHEE po i mer e po i regjistron nëpunësit e saj në Durrës që të votojnë atje në 21 qershor. Kërcënimi nuk qendron në faktin se po nuk u mbushën kutitë në 21 qershor do ikin nga puna, por ata po përdoren për fushatë e më pas do të flaken tutje", tha Bylykbashi.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i mazhorancës përmes ministres Milena Harito dhe deputetes Vasilika Hysi.

Debatet

Vasilika Hysi: "Direktivat e BE diktojnë nevojën e përafrimit të legjislacionit tonë me BE. kolegu ynë mohoi faktin se duhet bërë çdo lloj ndryshimi për tu përafruar me ligjet e BE. duhet parë përputhshmëria e ligjeve të cilat kanë ndryshuar shpesh kohët e fundit.

Meqë u fol për standardet në administratë po ju kujtoj standardet tuaja. Besoj e kemi të freskët standardin për zhvillimin e ekonomisë. Cilat ishin standardet që dhanë mundësi që bizneset të mos ndaheshin të tonat dhe të tyret? Po pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave ku deputeti dhe një mësues paguanin taksa njësoj, apo edhe më pak se një deputet? Cilat standarde vendosët për mbrojtjen e punonjësve në publik apo privat?

Ju keni miratuar ligje për tu dhënë mundësi bizneseve pranë jush që të regjistroheshin në vendet ku nuk paguanin taksa. Po për arsimin çfarë standardesh ofruat apo krijimin e universiteteve private që prodhonte kartonë. Mos flasim për zgjedhjet. A keni dëgjuar ndonjë punonjës të administratës suaj se janë tuajët ata se ne nuk i kemi hequr.

A i kemi detyruar të vijnë në fushatë e ti telefonojmë për të shkuar në fushatë gjatë kohës së punës. Ju keni marrë të afërmit tanë në telefon dhe i keni nxjerrë në fushatë kur ishit në maxhorancë. Ndryshimet që kemi bërë ne janë disa në ligjin e nënpunësit civil. Ju keni hequr 14 mijë njerëz nga puna që kanë fituar gjyqet edhe në Strasburg.

Ne e detyruam administratën të krijojë regjistrin e personave të larguar nga puna padrejtësisht. Ne stopuam humbjen e buxhetit nga taksapaguesit që detyroheshin të paguanin pensionet për prindërit. Ne një nen ndryshuam për mjedisin duke stopuar ndërtimet dhe kjo është e dukshme. Zhvillimin kaotik të qyteteve urbane e miratuat ju." 

Harito: "Bylykbashi ka probleme me kujtesën mesa duket se po shpif në mënyrë të patolerueshme. Ai tha se janë futur 10 mijë vetë në shërbimin civil dhe këtë e thotë dhe komisionari Hahn, nëse keni probleme me memorien të paktën hapni veshët. Ajo që në gjetëm ishte një mori me vendime gjykatash të pazbatuara për të cilat ne kemi bërë një projektligj që i shlyem të gjithë."

Bylykbashi: Zonja ministre ka probleme me konceptet e ligjit. Vetë ministrja pranoi se janë futur 7 mijë vetë në shërbimin civil. Ata po fusin sërish vetëm socialistë, edhe kriminelë po fusin. Po ata që kanë fituar gjyqet janë të shumtë dhe do marrin shumë paga. Mos na tregojë ministrja përralla me komisionerë ne.

SHKARKO APP