Bylykbashi: Reforma sipas rregullave tona, bëhet jashtë Parlamentit

Përfaqësuesi i PD-së në tryezën për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi u shpreh se marrëveshja e nënshkruar është bërë sipas rregullave të vendosura nga opozita. ”Dje u arrit kompromis në një dokument kompromisi në lidhje me rregullat që ne do të bëjmë reformën zgjedhore. Nuk kemi diskutuar aspak në lidhje me brendinë e reformës zgjedhore. Nuk përjashtohet asnjë çështje në atë dokument se çfarë do të trajtohet. Ajo që çoi në dokumentin e djeshëm është nevoja e shqiptarëve për një reformë zgjedhore që garanton maksimalisht zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për herë të parë, reforma zgjedhore është një kusht kaq i fortë në procesin e integrimit”,-tha në ”A2Cnn”.

Garancia e opozitës jashtë parlamentare që u ul në tryezë…

“Keni parë dokumente dhe rezultate. Më i fundit është marrëveshja e dekriminalizimit e vitit 2014. Në fund të vitit 2015, ajo marrëveshje dha ligjin e dekriminalizimit. Sot, 500 zyrtarë që kanë kryer krime janë hequr.

Kredite shtesë për mazhorancën duke u rikthyer në tryezë?

“Rama tha që reforma do të bëhet në Kuvend, por dokumenti i djeshëm i kompromisit thotë, ashtu siç e kërkuam ne, reforma do të bëhet jashtë Parlamentit. Parlamenti është delegjitimuar. Siç thotë edhe Bundestagu, ka një krizë të thellë. Parlamenti nuk do të ndryshojë se çfarë do të arrijmë ne jashtë Parlamentit. Ne nuk e marrim në konsideratë komisionin si mekanizëm. Parlamenti të bëjë ç’të dojë me mekanizmat e tij. Reforma do të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe konsensuale”

“Reforma zgjedhore, jo më justifikim i Ramës për të mos bërë zgjedhje të parakohshme”

“Ajo që u arrit dje ishte një hap, sado i vogël apo i përsëritur, për të vendosur rregullat e betejës sonë në reformën zgjedhore. Ne nuk kemi bërë asnjë lloj marrëveshje, në lidhje me qeverisje e të tjera. Ne vendosim rregullat që beteja të jetë me armë të njëjta në reformën zgjedhore. Të jetë e ndershme. Më pas, reforma zgjedhore hiqet nga justifikimi i Ramës për të mos bërë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje për këtë kënetë ku qeveris Rama”.

SHKARKO APP