Bylykbashi tregon gabimet që çuan në humbjet e njëpasnjëshme të Partisë Demokratike
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka folur ditën e sotme në emisionin ‘Kjo Javë’ për zhvillimet në PD, nga dorëheqja e Lulzim Bashës te rikthimi i Sali Berishës.
Gjatë bisedës në studio, Bylykbashi ka sjellë në vëmendje gabimet që çuan në humbjet e njëpasnjëshme të Partisë Demokratike, ndërsa ka folur edhe për qëndrimet e tij lidhur me çështje të ndryshme brenda opozitë duke mos u dakorduar me shumë qëndrime të Bashës.
“Vendimi ka qenë një moment çlirimi përtej PD. Ishte kulmimi i një procesi që duhet të kishte ndodhur më herët. Nëse gjykata do të kishte vendosur më herët nuk do ta kishim pasur 8 janarin sepse Basha do të ishte larguar më herët. U njoh zyrtarisht Kuvendi i 11 dhjetorit dhe njohu statutin e ri që i heq pushtetin kryetarit dhe gjithashtu njohu shkarkimin e Bashës, më pas dorëheqja është folklor, ai është shkarkuar. Në çdo rast Basha ka ikur, nëse do të kthehet apo jo janë hipoteza. Tashmë e dinë të gjithë që ai njeri e futi në një krizë të rëndë PD ka ikur tashmë, politikisht është një figurë që ka eksperiencë”, ka thënë Bylykbashi.
Referuar deklaratës së Bashës i cili tha se do të punojë që të kthehet shpresa në PD, Bylykbashi tha se teza e tij është pa asnjë bosht
“Ka qenë një ekzekutor i mirë i detyrave, ka tentuar të vetëpronësojë arritje që nuk ishin të tijat, por të Sali Berishës. Pra ajo tezë e Lulzim Bashës është pa bosht. Është një retorikë që përgjigjen e mori më 6 mars. Ajo që shtrohet sot, është që Basha në këtë proces që thotë se po bën, apo kontribuan në bashkimin e partisë? Jo nuk po e bën. Duhet ta bëjë, por kontributi i tij është të mos bëjë atë që ka bërë deri më sot, përçarjen. Largimi nga Grupi Parlamentar i Berishës ishte antikushtetues. Kisha pikëpyetjet e mia që do ta merrte atë vendim, por mendoja që Basha do të kishte prioritet interesin e PD dhe një parti e përçarë nuk fiton”, u shpreh deputeti i PD.
Pyetje: Jeni një nga njerëzit që keni qenë shumë afër zotit Basha, ku nisën të ndaheshin rrugët tuaja?
Bylykbashi: Në një parti politike nuk është çështja raporti miqësor por interesat e përbashkët. Isha dërguar në negociata për t’u vrarë në betejë, por diçka që ndodhte ndryshe më pas, por ajo është çështje e tij dhe një gjë e tillë nuk më ka ndodhur me Berishës. Në 2017 i kam kërkuar zotit Berishës të rikthehej se Basha nuk na çonte në fitore. Ndërgjegjësimi se Basha duhet të largohej ka qenë më herët…Por mund të them që kur na solli në 16 maj 2021 aktin e thirrjes për zgjedhjet e reja për kryetar i kam dalë kundër, duke i thënë se nuk ishte koha…Kam kërkuar një analizë dhe të mbahej llogari për vendimet e mëdha strategjike të gabuara, çadra, humbja e 2017, marrëveshja e 2017 , djegia e mandateve, këto janë gabime strategjike që groposin një forcë politike…”, ka thënë më tej Bylykbashi.