Caka i kthehet ashpër Ferhatit: Rilindja erdhi në pushtet me lekët e bandave dhe drogës
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Silva Caka i përgjigjet deputetes socialiste Klotilda Ferhati, e cila paralajmëroi opozitën se pushteti merret me votë dhe jo me dhunë.
Nisur nga kjo Caka në reagimin ndaj koleges së saj në Komisionin e Ligjeve, i kujton Ferhatit përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës, në të cilat u faktua blerja e votave, intimidimi i zgjedhësve dhe përdorimi i elementëve kriminalë nga ana e partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku krimi elektoral u dëshmua për të paktën 4 qarqe të vendit.
E në këtë kuadër, në reagimin e saj përmes rrjeteve sociale, Caka i kundërpërgjigjet Ferhatit që “Rilindja” erdhi në pushtet me lekët e bandave dhe drogës.
“Kur vjen në pushtet me lekët e bandave, drogës dhe krimit të organizuar, sigurisht që bilbilos dhe thua që “pushteti merret me votë dhe jo me dhunë”.
Unë kam ardhur në atë Parlament me vota gjaku Znj. Ferhati, ndërsa ti dhe kolegët e tu të Rilindjes, keni ardhur në pushtet me votat e Avdylajve, Bajrëve, Çapjave, Habilajve, Berishëve, Shullazëve, Totove e shumë të tjerëve dhe tani jeni peng i tyre.
Zëri i Amerikës ju bëri shkrumb e hi në sytë e gjithë botës, tani mbetet vetëm që populli t’ju çojë atje ku e keni vendin: përpara drejtësisë.
Ç’kope e madhe paskeni qenë ju të Rilindjes; kudo ku fut dorën, nxjerr një kriminel të veshur me mandat!”- deklaron deputetja e LSI-së, Silva Caka.
KOHA JONË SONDAZH

