Caka: Ministrja të ekstradojë kreun e ZVRPP Shkodër, siç bëri me Nezarin
Përmes një statusi në facebook, deputetja e LSI-së, Silva Caka, ka reaguar pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ku përshëndeti arrestimin e kreut të ZVRPP Shkodër. Sipas Cakës, arrestimi erdhi nga Policia, pasi nëse do të ishte për Ministren e Drejtësisë, sipas deputetes, ai do të ishte ekstraduar siç u bë me Nezar Seitin. ”Policinë do të doja t’a falenderoja edhe unë për këtë aksion, por shpresoj shumë që të mos ua çojë Etilda dëm gjithë mundin e përpjekjen, duke ekstraduar edhe Kreun e ZVRPP Shkodër, siç bëri me Nezarin”,-shkruan Caka.
Postimi i plotë
Dje Ministrja e Drejtësisë, ka mbajtur aktrim-fjalimin e radhës, gjatë të cilit ka falenderuar dhe përshëndetur arrestimin e Kreut të ZVRPP Shkodër, i akuzuar për korrupsion. E meqënëse ka premtuar që në kuadër të të qenurit transparente me qytetarët, do të aktrojë sot përsëri me një përmbledhje javore të rezultateve të veprimtarisë antikorrupsion, do të doja t’i vija në ndihmë Ministres në misionin e saj “transaparent” me një fakt: 5 muaj më parë, konkretisht në prill të këtij viti, Kryeregjistruesi i ZQRPP-së, i ka drejtuar Ministres një kërkesë me shkrim; kërkesë konkrete për shkarkimin e kreut të ZVRPP Shkodër, kërkesë e cila është mbështetur edhe nga kreu i ALUIZNI-t, z.Artan Lame.
Mirëpo, Ministrja që tjetër bën e tjetër thotë, nuk ka pranuar t’a shkarkojë atë, duke e lejuar me ndërgjegje të plotë edhe për 5 muaj të tjerë zhvillimin e aktivitetit kriminal korruptiv të Kreut të ZVRPP Shkodër.
Prandaj Ministrja bën mirë që sot falenderon Policinë e Shtetit për arrestimin e tij, se të ishte për Ministren, apo edhe për Kryeministrin, që arrestimin e Kreut të ZVRPP Shkodër na e shiti si histori suksesi, banakieri i konvertuar në drejtor rilindas, do vazhdonte i qetë e i paprekur aktivitetin e tij korruptiv, duke rrjepur xhepat e qytetarëve, për llogari të atyre që e emëruan në atë detyrë e që i mbronin edhe shpatullat, kur kundrejt tij kërkohej shkarkimi.
Policinë do të doja t’a falenderoja edhe unë për këtë aksion, por shpresoj shumë që të mos ua çojë Etilda dëm gjithë mundin e përpjekjen, duke ekstraduar edhe Kreun e ZVRPP Shkodër, siç bëri me Nezarin.
KOHA JONË SONDAZH

