Caka: Zgjedhjet vendore dhe ato të parakohshme, pa Ramën kryeministër

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka flet mbi zhvillimet e fundit politike në vend, duke komentuar veçanërisht ecurinë e reformës në drejtësi, vendimet e Kryeprokurores Arta Marku si edhe përgjimet e fundit të Zërit të Amerikës. Po ashtu Caka flet edhe mbi protestën e 16 shkurtit e ndërsa nënvizon me siguri se zgjedhjet vendore të cilat sipas saj do shoqërohen edhe me zgjedhje të parakohshme nuk do zhvillohen me Ramën si Kryeministër. Deputetja e LSI-së analizon edhe protestën e studentëve dhe vendimin e pedagogëve për grevë pa afat duke bërë thirrje për bashkimin e të gjithë intelektualëve kundër Kryeministrit dhe vendimmarrjeve të Qeverisë për arsimin.

Cili është qëndrimi juaj lidhur me dokumentat e publikuara nga autoriteti i dosjeve sipas të cilave anëtari i KLP-së, Bujar Sheshi rezulton bashkëpunëtor i ish-sigurimit?

Qëndrimi ynë lidhur me këto kandidatura apo anëtarë të organeve të reja të drejtesise, si Këshilli i Larte Gjyqësor apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka qenë kristal i qartë në çdo rast: tolerancë zero ndaj kandidaturave që kanë probleme apo nuk përmbushin kriteret kushtetuese apo ligjore.  Ky qëndrim u bë publik edhe një vit më parë, kur ne KLGj dhe KLP u futën me short kandidatura të cilat nuk plotesonin kriteret për të qenë anëtarë të këtyre dy organeve, apo që ishin kritikuar nga Operacioni Ndërkombetar i Monitorimit.  Në gjykimin tonë, konstituimi i këtyre organeve me këtë anëtaresi, nuk bën gje tjetër veçse minon integritetin, pavaresinë dhe legjitimitetin e këtyre organeve dhe sistemit të drejtësisë në tërësi. Rëndësia e KLGj-se dhe KLP-se është shume e madhe, duke patur parasysh se këto dy organe do shërbejnë edhe për të ngritur organe te tjera si Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokurorine e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe kapja politike e këtyre dy Këshillave, do te derivoje ne kapje politike edhe të Byrose dhe Prokurorise së Posacme Anti-Korrupsion.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kandidaturat me probleme integriteti, profesionalizmi dhe pasurore do duhej të qendronin sa më larg këtyre organeve, por tashmë ata janë pjese e tyre dhe kjo dëshmon edhe një herë dëshiren e ethshme të Kryeministrit, ministrave të tij dhe deputetëve të maxhorances, për të kapur politikisht sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të mbulojne cdo paligjshmëri që kryejnë cdo dite në kurriz të qytetareve shqiptare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ditët e fundit keni shprehur një sërë kritikash për menyren se si e kryen detyren kryeprokurorja Arta Marku. Perkatesisht cilat jane çeshtjet apo vendimet qe sipas jush e bejne Markun nje kryeprokurore te njeanshme dhe ne kundershtim me ligjin?

Është për te ardhur keq se si një prokurore, e cila ka sakrifikuar shumë vite nga jeta e saj për të zhvilluar këtë profesion, bëhet palë në këtë maskaradë e vendoset në krah te atyre, që për interesat e tyre personale e politike, po shkatërrojnë çdo parim të drejtesise së pavarur. Shkelja e parë nisi që me emerimin e Znj. Marku në krye te Prokurorise së Pergjithshme, proces i cili shkeli pa mëshirë Kushtetuten dhe ligjin organik për Prokurorine.

Në pothuajse 13 muaj në krye të këtij organi, Prokurorja e Pergjithshme e Posaçme, ka kryer një sërë veprimesh, te cilat ne i kemi denoncuar dhe që na faktojne qe është vendosur në krah te paligjshmerise, e jo te respektimit te Kushtetutes e ligjeve. Pushimi i padive ndaj Kryeministrit te vendit, mosnisja e hetimeve për shkelje te faktuara e te denoncuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, të cilat lidhen me funksionare të lartë të qeverisë, deri edhe Ministra, ekstradime te paligjshme, marrja e kompetencave që nuk i ka, si emerime, shkarkime dhe transferime prokuroresh, nxjerrja e sekreteve hetimore dhe e fundit, jo për nga rëndësia, cuarja e kandidaturave në Këshillin e Lartë të Prokurorise, pa verifikuar me parë integritetin e tyre, vërtetojne me kokëfortësi se janë kryer haptazi në shkelje te ligjeve dhe me urdhera politike. Efekti domino i paligjshmerisë së saj të parë, që lidhet me pranimin e emerimit si Prokurore e Përgjithshme e Perkohshme ne kundershtim me ligjin, sigurisht që do te pasohej nga veprimtari qe bie ne kundershtim me ligjin. Kjo është një lidhje, qe tashme edhe nëse deshiron, Znj. Marku nuk e zhbën dot me dhe sigurisht qe do te kete edhe pasoja per te.

Cili është vleresimi juaj për ecurinë deri më sot të reformës në drejtësi?

Reforma në Drejtesi deri me sot ka bërë vetem hapa mbrapsht. Procesi i Vetting-ut ka treguar që nuk ka funksionuar me një standart, duke u kthyer në nje gjueti shtrigash, e cila vetëm drejtësise nuk i shërben. Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, çka e çon vendin në kolaps, çmonton demokracinë dhe i jep mundësinë kësaj qeverie abuzuese, të bëjë c’të dojë, pa patur një filtër kushtetues, i cili e ndalon paligjshmërinë. Gjykata e Lartë gjithashtu është në kolaps dhe kjo ka bërë që drejtësia për qytetarët jo vetëm të vonohet, por edhe të mungojë dhe së fundmi ka nxjerrë një problem madhor, pasi duke mos u respektuar afatet e gjykimit, shumë prej atyre që kanë kryer vepra kriminale nga me të rëndat, të lirohen. Ndërtimi i organeve të reja të drejtësisë ka çeduar pothuajse në çdo hap, duke konfirmuar atë që gjithë qytetarët kishin frikë: kapjen politike të sistemit. Reformimi i Drejtësisë u kthye në Deformim të Drejtësisë e kjo sigurisht nuk i shërben shtetit të së drejtës, por vetëm atyre qe i intereson anarkia, të favorizuarve të këtij pushteti, krimit të organizuar dhe kujtdo që vepron në kundershtim me ligjin.

Pak ditë më parë “VOA” bëri publike pergjime të reja nga dosja 339. A janë sipas jush këto prova te reja të mjaftueshme për të thënë se zgjedhjet e 2017-es u blenë dhe se rol kryesor luajti bashkëpunimi i PS me krimin?

Provat e forta që solli Zeri i Amerikës, ishin vetëm konfirmim i pakundërshtueshëm i asaj që kemi mbi dy vite që e denoncojmë. Për të gjithë ata që punuan në terren në fushatën e 2017-s, ishte shume e qartë panorama e vjedhjes masive të votave, të kryer nga eksponentet kryesore të Rilindjes, në bashkëpunim me elemente të inkriminuar dhe shpeshherë edhe me punonjës të policise. Kjo gjë u faktua edhe në raportin e OSBE/ODIHR, i cili konfirmoi se më shumë se 20% e shqiptarëve kishin pranuar se kishin shitur vullnetin e tyre zgjedhor.

Përgjimet e “Dosjes 339” janë vetëm një pjese e vogël e asaj që në të vërtetë ka ndodhur; në çdo qark, kandidatet për deputetë të Partise Socialiste, bashkuan forcat me krimin dhe punonjës të policise dhe nëpërmjet shantazhit, presionit dhe favoreve, siguruan vota për subjektin e tyre. Kjo ishte një skemë e mirëmenduar nga Kryeministri i vendit, i cili kanabizoi gjithë vendin dhe me paratë e nxjerra nga kjo veprimtari, deputetët e ministrat e tij, vunë në zbatim këtë skeme.

Nga sa me sipër, çfarë masash po merr opozita që në zgjedhjet lokale mos përsëritet fenomeni i zgjedhjeve të përgjithshme te 2017-es? Kujtoj se komisioni i reformes ka bërë pak ose aspak hapa në këtë aspekt…

Përsëritja e të njëjtit fenomen si në zgjedhjet e vitit 2017 do të thellojë shkatërrimin e demokracisë në vend, rrënimin e institucioneve dhe largimin e akoma më shumë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur që të mos e çojmë vendin në zgjedhje me të njejtin arkitekt të vjedhjes së votave dhe deformimit të vullnetit zgjedhor të shqiptarëve. Zgjedhjet vendore të dekretuara me 30 qershor të këtij viti dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të zhvillohen pa Edi Ramën si Kryeministër.

Çfarë pritet realisht  sipas jush nga protesta e 16-shkurtit?

Protesta e 16 shkurtit do të jetë një proteste masive, e cila do të jetë si sintezë e gjithë vatrave të protestave që janë krijuar në gjithë vendin. Ajo protestë do të bëjë bashkë të gjithë shqiptarët, të cilët kanë humbur çdo shpresë se në këtë vend mund të jetohet dhe më besoni se janë shumë të tillë. Propaganda e qeverisë në rrjete sociale, nuk bind me askënd dhe sukseset imagjinare të saj, bien në kundërshtim të madh me ate çfarë shqiptarët përjetojnë çdo ditë! Papunësia, varfëria, taksat e larta, padrejtesitë, mungesa e sigurisë, shëndetësia e shkatërruar dhe kriminaliteti i rritur do t’i nxjerrin shqiptarët në protestë më 16 shkurt, protestë që nuk do të ndalet deri në largimin e Kryeministrit dhe kabinetit te tij.

Po lidhur me protestën e studentëve, si e shihni situatën aktuale? Çfarë mendoni për paktin e propozuar nga Qeveria dhe vendimin e pedagogëve të Shkencave Sociale  për të nisur greve pa afat?

Protesta e studentëve ishte lajmi më i mirë që mund të merrte çdo shqiptar në këto 29 vite pluralizëm, për një arsye shumë të thjeshtë: protesta tregoi se rinia shqiptare gjen shpresë dhe e përcjell frymën e saj tek kushdo. Gjithashtu, protesta nxorri krejt “të palarat” e kësaj qeverie, që në themel të punes së saj ka propaganden, rrjetet sociale dhe zero punë.

Protesta faktoi mashtrimin e madh të qeverisë me edukimin në tërësi, me tarifat e studimit, me buxhetin për arsimimin e fëmijëve të shqiptarëve, me policinë e shtetit që e vuri kundër fëmijëve të shqiptarëve dhe qendresa e këtyre studentëve, pavarësisht gjithe çfarë përmenda, është një nga aktet me heroike e shpresëdhenësë që mund të ketë ndodhur në këtë vend. Përsa i perket Paktit për Universitetin, si çdo veprim tjetër i kësaj qeverie, rezultoi në falsitetin e radhës, në pazarin e radhës, të cilin nuk ka shqiptar që nuk e ka kuptuar tashmë. Vetë gënjeshtra se fondet e rrugës Thumanë-Kashar do t’i kalonin Paktit për Universitetin, kur fondi për këtë rrugë ishin 0 Lek, tregoi edhe një herë fytyrën hipokrite të kësaj qeverie.

Ndërsa përsa i perket grevës pa afat të paralajmëruar nga pedagogët e Fakultetit te Shkencave Sociale, më duhet te them që në kushtet e një presioni te madh nga ana e Kryeministrit dhe kabinetit të tij për largime nga puna, të pedagogeve që bëhen palë me studentet, ky veprim i ndërmarrë nga ata, i bën elitën e intelektualeve shqiptare. Madje përfitoj nga rasti për t’u bërë thirrje edhe kolegeve të tyre, që t’i bashkohen kësaj nisme dhe një herë e mirë të vendosin së bashku me studentët, ç’është më e mira për ta. Vetëm në këtë mënyrë mund t’a largojne nga dyert e Universiteteve këtë Haxhi Qamil qe i ka shpallur luftë intelektualeve të Shqipërisë.

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, mazhoranca socialiste rrëzoi dekretin e Presidentit i cili ktheu mbrapsht ligjin “Për Noterinë”. Si e shihni këtë vendim dhe cilat janë sipas jush të metat e këtij ligji?

Ligji “Per noterinë” është një ligj derivat i paketes së ligjeve te Reformes ne Drejtesi, i cili ka ardhur ne disa forma e drafte deri me sot. Drafti i fundit synon rregullimin e fushes dhe do te duhej te karakterizohej nga nje fryme e pergjithshme pozitive, por ajo qe na shqeteson tej mase, eshte pikerisht tendenca klienteliste dhe partiake qe po synohet t’i jepet. Kritikat tona qendrojne ne po te njejtat pika, qe ka evidentuar edhe dekreti i Presidentit, lidhur me nenet 61, 65 dhe 76.

Neni 61 parashikon “futjen në lojë” të zevendesnoterit në rastet kur noterit, i pezullohet licenca, për arsye personale ose te parashikuara ne ligj, si masë disiplinore. Në këto raste, zevendesnoteri do te jetë ai që merr atributet e noterit, në aspektin e çeljes së testamenteve dhe në aspektin e administrimit të arkives së noterit. Qëllimi i krijimit të funksionit te zevendesnoterit, në thelb nuk përbën problem, madje mund t’a konsiderojme një masë të nevojshme, që merret për të garantuar qytetaret, te cilet për asnje arsye nuk duhet te ngelen pa marre sherbim, kur noterit qe ata kane zgjedhur i pezullohet licenca. Ajo qe na shqeteson në këtë çështje, është menyra e perzgjedhjes se zevendesnoterit dhe mosrregullimi i pergjegjesive te tij dhe pasojave qe mund te shkaktoje gjate ushtrimit de facto te detyres se noterit. Është për te ardhur keq qe qeveria dhe maxhoranca ne Parlament, duan te qeverisin me zevendesa, pikerisht per te mos marre pergjegjesi per veprimet e tyre te paligjshme. Menyra se si duan t’a imponojnë zevendesnoterin ne zyren noteriale, tregon qarte edhe per menyren e perzgjedhjes se tij, nepermjet implikimit te Dhomes Kombetare te Notereve dhe Ministrise se Drejtesise, kur kjo e fundit njihet mirë për konkurset fiktive ne punesime ne sektorin e burgjeve. Zevendesnoteri, si rregull, do duhej te zgjidhej nga vete noteri dhe per shkak te natyres se punes, do duhej te ishte nje njeri i besuar i tij. Mirepo deputetet iniciatore te projektligjit “Per noterine”, kerkojne qe te krijohet nje konkurs i administruar nga Dhoma Kombetare e Notereve dhe Ministria e Drejtesise, gje qe e zhvlereson rolin e zevendesnoterit, duke e kthyer ate ne informator te ketyre dy strukturave, ne zyrat noteriale.

Nje tjeter shqetesim lidhur me funksionin e zevendesnoterit, eshte pergjegjesia qe ai mban lidhur me shlyerjen e detyrimeve financiare te zyres noteriale. Nga ligji nuk del e qarte se si do funksionoje zyra ne mungese te noterit dhe ç’është me e rendesishme, lidhur edhe me nenin tjeter që ne kritikojme, nenin 65, nuk del aspak e qarte ne ligj se kush do mbajë përgjegjesi (sidomos financiare), ne rast se zevendesnoteri i shkakton dem klienteve te zyres apo paleve te treta. Kritika e dyte i shkon Nenit 65, i cili eshte haptazi nje nen klientelist, i cili shume shpejt do te tregoje se cila eshte kompania e sigurimeve qe preferon maxhoranca. Ne çdo vend të botes, sigurimi i profesioneve eshte nje sigurim qe behet ne menyre vullnetare nga profesionisti. Në rastin konkret, një noter, për të rregulluar pasojat financiare te nje veprimi te tij, do duhej te siguronte veprimtarine e tij, vullnetarisht. Ligji nuk ia lejon kete te drejte; ligji detyron noteret qe te lidhin kontrate kolektive te detyrueshme sigurimi, e cila do te prokurohet nga Dhoma Kombetare e Noterise, duke iu hequr kështu të drejten notereve, qe te zgjedhin ata vete kompanine e sigurimit, te ciles do duan t’i besojne sigurimin e veprimtarise se tyre profesionale. Ne kete nen gjithashtu, parashikohet qe kufijte minimale dhe maksimale te tarifes se sigurimit te detyrueshem te profesionit te noterit, t’i percaktoje Ministri i Drejtesise. Përveç klientelizmit, nuk shoh asnjë arsye pse duhet te jete Ministri i Drejtesise funksionari qe percakton keto tarifa. Gjithashtu, ky parashikim, nuk eshte diskutuar as me Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare dhe as me Byrone Kombetare te Sigurimeve, te cilat jane dy institucionet qe rregullojne tregun e sigurimeve ne vend. Mungesa e transparencës, konsultimit me grupet e interesit dhe reflektimi i opinioneve te tyre ne ligj, është shenjë e klientelizmit qe ka kapur Qeverine dhe maxhorancën në Kuvend. /Gazeta Standard/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?