Cakaj: BE nuk zëvendëson rëndësinë e bashkëpunimit mbarëkombëtar
Duke theksuar se rruga e Shqipërisë është drejt BE, ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj është shprehur se BE nuk e zëvendëson domosdoshmërinë e thellimit të bashkëveprimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në konferencën mbarëkombëtare për rolin e Shqipërisë në promovimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, Cakaj e vuri theksin te bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli përmendi dhe rrezikun nga aktorë të brendshëm dhe të jashtëm, kur tha se bashkëpunimi me Shqipërinë është thelbësor.
Të pranishëm në konferencë ishin përfaqësues të lartë të politikës së vendeve të rajonit, të cilët e vunë theksin te krijimi i platformave të përbashkëta të veprimit dhe bashkërendimin e qëndrimeve politike për afirmimin e të drejtave kombëtare.