Cakaj kthehet nga Italia, a do te qëndrojë 14 ditë në karantinë zevendësi i Ramës?
Gent Cakaj u shfaq të premten i shkujdesur e sypatrembur ndaj virusit që ka gjunjëzuar botën.
Mëkëmbësi i Ramës në Ministrinë e Jashtme udhëtoi drejt Italisë, së bashku me 30 mjekë e infermierë që do të ndihmojnë fqinjët të përballen me Covid-19.
Mjekët e maskuar deri në dhëmbë duket se i kanë dhënë trimëri shefit të diplomacisë shqiptare, i cili, siç shfaqet dhe në këtë foto, jo vetëm nuk ruan distancën, por as nuk përdor ndonjë mjet mbrojtës.
Të njëjtën trimëri e shfaqi edhe në aeroportin e Romës, teksa prekte në zemër të pandemisë botërore.
Ndryshe e priti ministri i Jashtëm, Di Maio i cili për asnjë moment nuk e hoqi maskën mbrojtëse nga fytyra.
Cakaj qëndroi në Itali disa orë, dhe u kthye mbrëmjen e së shtunës, me të njëjtin avion të AirAlbania, bashkë me 112 shqiptarë që u riatdhesuan.
Siç duket nga pamjet, shqiptarët e kthyer, ju nënshtruan kontrollit të temperaturës në aeroport dhe janë të detyruar të vetëkarantinohen për të paktën 14 ditët e ardhshme.
Vetë Cakaj ka kaluar përmes sektorit VIP në aeroport, dhe nuk dihet nëse edhe ai është kontrolluar.
Gjithësesi ligji është i njëjtë për të gjithë: 14 ditët e ardhshme Gent Cakaj duhet të vetëizolohet në shtëpi, në bindje të aktit normativ të qeverisë, i cili thotë:
“Dënohet me gjobë në masën 700 000 (shtatëqind mijë) lekë:
- b) Shtetasi, i cili hyn nga zonat e prekura në territorin e Republikës së Shqipërisë, që nuk vetëkarantinohet për një periudhë 14-ditore në ambientet e banesës së tij, si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19”.
Tashmë ministri i cili kurrë nuk u dekretua si i tillë, duhet të punojë nga shtëpia, ndërsa zyra e tij nuk shpjegoi pse ishte e domosdoshme që Cakaj të udhëtonte drejt Italisë, një kryeqendrën botërore të infeksionit COVID 19.
Në të kundërt, ai duhet të gjobitet, si çdo qytetar tjetër, me 5 mijë euro gjobë. /abcnews.al