Cakaj në Danimarkë, takon Kofod: Vijojmë punën me vendet anëtare për të përparuar drejt BE
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Danimarkë, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një takim me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Jeppe Kofod.
“Duke vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin dypalësh, theksuam rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve mes vendeve tona, veçanërisht në fushën ekonomike”,- u shpreh Cakaj në një reagim në facebook lidhur me takimin.
Gjithashtu, Cakaj theksoi se Danimarka ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në çeljen e negociatave për Shqipërinë. Prandaj, sipas Ministrit në detyrë Cakaj, informimi i drejtë për punën që po bën Shqipëria për të zbatuar detyrimet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, është i pazëvendësueshëm.
“Ne do të vazhdojmë punën politike e diplomatike me gjithë vendet anëtare për të mundësuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”,- shprehu bindshëm Cakaj. Më tej, të dy homologët vlerësuan edhe mbështetjen e ndërsjellë për marrjen e angazhimeve si anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.