Cakaj në Sofje me homologen Zaharieva

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, po zhvillon një vizitë dy ditore në Sofje, ku pritet të zhvillojë një sërë takimesh të rëndësishme.

Cakaj e nisi këtë vizitë me një takim me Zëvendëskryeministren e Parë për Reformën në Drejtësi dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Takimi u fokusua në diskutime mbi avancimin e disa projekteve me rëndësi strategjike, nga nxitja e shkëmbimeve ekonomike deri te zhvillimi i interkoneksionit energjetik. Po ashtu, dy homologët, theksuan se Shqipëria tashmë ka bërë përparim të qëndrueshëm për të vazhduar më tej në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sa i përket bashkëpunimit shumëpalësh, u shpreh mbështetja e plotë e Bullgarisë në kandidaturën e Shqipërisë për të marrë një ulëse në Këshillin e Sigurimit si anëtare jo e përhershme për 2022-2023.

Në fund të takimit, Ministrat nënshkruan edhe marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe ujërave.

SHKARKO APP