Cakaj: Shqipëria dhe Kosova në një zë për adresimin e gjenocidit serb
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim Ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani. Ministri Cakaj ka bërë të ditur se thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në drejtim të krijimit të një hapësire të unifikuar tregtare dhe një bashkësie të vetme doganore ka një rëndësi strategjike dhe pragmatike.
“Do të punojmë ngushtësisht për të ngritur bashkëpunimin e dy shteteve që i përkasin një kombi në nivele krejtësisht të reja!”, shprehet Cakaj.
Në fokus të takimit ishte edhe nevoja që Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës të veprojnë njëzëri për adresimin e krimeve të luftës, projekteve të spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë si dhe adresimi i krimeve sistematike të Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë.
Cakaj shprehet se si mbështetëse e pakushtëzuar e Republikës së Kosovës, Shqipëria nënvizon domosdoshmërinë e parashtrimit të çështjes së dëmshpërblimeve të luftës nga ana e Serbisë.
“Shqipëria do të intensifikojë angazhimin për mbështetjen e Republikës së Kosovës dhe fuqizimin e mëtejmë të saj në arenën ndërkombëtare. Puna e përbashkët ndër-shtetërore duhet të zhvillohet nën dritën e idealeve më larta kombëtare!”, deklaroi shefi i diplomacisë shqiptare, në përmbyllje të postimit të tij.
KOHA JONË SONDAZH

