Cakaj takohet me Philip Reeker
Në kuadër të Takimit të Ministrave të Jashtëm të OSBE-së, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, zhvilloi një takim me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Philip Reeker.
Takimi u përqendrua në diskutime që lidhen me çështje të interesit të përbashkët, Kryesinë Shqiptare të OSBE-së për vitin 2020, si dhe perspektivën e hapjes së negociatave për Shqipërinë, situatën në Ballkan.
Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh në një status në Facebook: “Po ashtu, diskutuam lidhur me prioritetet dhe planin e veprimit të Shqipërisë në kuadër të Kryesimit të OSBE-së 2020! Shtetet e Bashkuara të Amerikës ofrojnë mbështetjen e tyre absolute në këtë angazhim tejet të rëndësishëm ndërkombëtar për vendin tonë!”
Gjithashtu, të dy bashkëbiseduesit shprehën përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për të intensifikuar komunikimin në kontekst të OSBE-së e jo vetëm.
Sa i përket tërmetit që tronditi Shqipërinë në 26 nëntor, Cakaj theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin jo vetëm solidaritetin e plotë, por edhe gadishmërinë e lartë për ta ndihmuar Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit.