Cakaj takon ambasadorin e Kosovës në Holandë: Në Tribunale Ndërkombëtare duhet të shkojë Serbia
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, për të biseduar imtësisht mbi të rejat e fundit nga Gjykata Speciale.
Me anë të një postimi në facebook, Cakaj shprehet se krimet e luftës në Kosovë, të të gjitha profileve ushtarake e politike të UÇK-së, janë hetuar e gjykuar nga UMNIK-u, EULEX-i, Tribunali i Hagës, drejtësia vendore dhe tani, në fund, sërish edhe nga e Gjykata Speciale.
”Ndërkohë, krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë hetuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare dhe bashkësia ndërkombëtare kryesisht qëndron e heshtur para tyre”,-shkruan Cakaj në facebook.
Sipas ministrit, për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për të gjitha mizoritë e saj në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare. Në fund, ai thekson se Kosova do ketë gjithmonë mbështetjen dhe solidaritetin e plotë të Shqipërisë në këto rrethana jo të lehta.