Call Center-at “kambiste” alarmojnë shtetin, AMF: Problem kombëtar nëse pastrojnë para
Call Center-at “kambiste” që fshehin pas vetes “brokera” fantazmë e veprojnë si skema mashtruese, mund të kthehen në një problem kombëtar për vendin tonë.
Kjo u bë e ditur ditën e djeshme nga drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi. Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare zbuloi se nga ana e institucionit që ai drejton, janë nisur shkresa drejt një sërë institucioneve të rëndësishme në vend për të bashkërenduar një plan veprimi.
“Kemi pasur informacion që operojnë të tilla shoqëri, sidomos në tregjet e huaja, sa i përket shitjes së produkteve financiare. Nëse ata janë të licencuar nga broker të Bashkimit Europian, kjo është një gjë pozitive se të paktën janë të kontrolluar. Problemi qëndron nëse ata janë broker fantazmë dhe qytetarët mund të përfshihen. I kemi shkruar Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Shërbimit Informativ të Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Kam bere takime dypalëshe dhe kam kërkuar nga SHISH që të na japë emrat e kompanive. Duke qenë se institucioni ynë nuk kishte certifikatë sigurie për të marrë informacion të klasifikuar që jepet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kemi kërkuar dhe jemi në fazën përfundimtare për të marrë informacion nga SHISH por duhet të kemi një plan veprimi konkret me gjithë institucionet”, deklaroi ai.
Më tej, Koçi theksoi se nëse nuk merren masa Call Center-at mund të kthehen në problem kombëtar nëse pastrojnë para.
“Problemi i këtyre shoqërive është që ata më shumë marrin shtetas të huaj dhe nesër mund të kthehet në një problem kombëtar sepse mashtrohen qytetarë të huaj. Kjo mund të kthehet problem edhe nga institucionet ndërkombëtare nëse shërbejnë për pastrim parash”, deklaroi Koçi.
Megjithatë, shqetësimi për operimin e Call Center-ave jotipikë që operojnë për shitje produktesh financiare ka të paktën dy vite që po lakohet gjerësisht.
KOHA JONË SONDAZH

