“Canal +”, dyshime për kallashnikovët shqiptarë në masakrat e Francës

 

Kallashnikovi, armë e njohur për shqiptarët, është përdorur në dy sulme terroriste në Francë, në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo” si dhe në sulmet e fundit në Paris, ku mbetën të vrarë 130 persona. Gazetarja ka nisur investigimin që në prill të vitit 2014.

Televizioni francez “Canal +” ka realizuar një investigim special për të zbuluar se si trafikohen kallashnikovët nga Shqipëria për në Francë. Investigimi me titull “Rruga e Kallashnikovëve” e gazetares Vanina Kanban, u transmetua të hënën, ora 21:00.

Ajo ka ardhur në Shqipëri ku është takuar me trafikantët që shesin armë dhe personat që i transportojnë ato në vendet perëndimore të BE-së.

Gazetarja franceze pyet një prej trafikantëve nëse janë të vetëdijshëm se këto armë vrasin njerëz në Francë apo në ndonjë vend tjetër, ai i përgjigjet: “Të mendojmë… nëse e bëjmë këtë arrestohemi. E gjitha kjo është vetëm biznes”. Gazetarja franceze ndjek një pjesë të rrugës që përshkruajnë kallashnikovët nga Shqipëria, ku në një rast asaj i kërkohet të zbresë nga makina për të shmangur ndonjë arrestim të mundshëm.

Dokumentari tregon dhe vendet ku i fshehin armët trafikantët gjatë transportimit me makinë. “Po u ndeshëm me policinë do të themi se po bëjmë një reportazh për plazhet dhe turizmin e Shqipërisë, nëse na marrin kamerën, kartën e memories do ta fshihni në brekë. Nëse zbulohemi e keni kokën në rrezik” i thotë trafikanti gazetares.

Kanban interviston një person që mbledh armë, ku ai tregon se fiton deri në 25 mijë euro në vit me shitjen e tyre jashtë. Ai thotë se është i frikësuar që e bën këtë punë, po nuk ka shumë mundësi të tjera jetese.

SHKARKO APP