Canal+: Nga Shqipëria vijnë kallashnikovët e terrorizmit

 

Televizioni francez “Canal +” ka realizuar një investigim special për të zbuluar se si trafikohen kallashnikovët nga Shqipëria për në Francë. Investigimi me titull “Rruga e Kallashnikovëve” e gazetares Vanina Kanban, u transmetua të hënën në orën 21:00.

Kallashnikovi është përdorur në dy sulme terroriste në Francë, në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo” si dhe në sulmet e fundit në Paris ku mbetën të vrarë 130 persona.

Gazetarja ka nisur investigimin që në prill të vitit 2014. Ajo ka ardhur në Shqipëri ku është takuar me trafikantët që shesin armë dhe personat që i transportojnë ato në vendet perëndimore të BE-së. Gazetarja franceze pyet një prej trafikantëve nëse janë të vetëdijshëm se këto armë vrasin njerëz në Francë apo në ndonjë vend tjetër, ai i përgjigjet: “Të mendojmë… nëse e bëjmë këtë arrestohemi. E gjitha kjo është vetëm biznes”. Gazetarja franceze, ndjek një pjesë të rrugës që përshkruajnë kallashnikovët nga Shqipëria, ku në një rast asaj i kërkohet të zbresë nga makina për të shmangur ndonjë arrestim të mundshëm.

Dokumentari tregon dhe vendet ku i fshehin armët trafikantët gjatë transportimit me makinë. “Po u ndeshëm me policinë do të themi se po bëjmë një reportazh për plazhet dhe turizmin e Shqipërisë, nëse na marrin kamerën, kartën e memories do ta fshihni në brekë. Nëse zbulohemi e keni kokën në rrezik” i thotë trafikanti gazetares.

Kanban interviston një person që mbledh armë, ku ai tregon se fiton deri në 25 mijë euro në vit me shitjen e tyre jashtë. Ai thotë se është i frikësuar që e bën këtë punë, po nuk ka shumë mundësi të tjera jetese.

SHKARKO APP