Çeçua kryetar bashkie?!…    

Nga Thoma  Goga –

Se kush i cicëriu në vesh Çeços se ishte i thekur për kryetar bashkie. Aq donte byrazeri im që është shefi i stanit dhe iu ngrit mendja përpjetë.  Çoç ua di ca këtyre punëve të pushtetit. E po,  gjithë jetën “krietar” i fshatit ka qenë. “E pse të mos bëhesh edhe “krietar i qitetit”?! E ç’kanë të tjerët më shumë?!”. Kështu na i paskësh thënë dikush.

Po që të ngihej kaq lart edhe byrazeri im, këtë nuk ma merrte mendja. Në fillim mendova se do të ishte ndonjë nga ato shakatë “me kripë” që bluan në mendje. Ja si ajo shakaja kur formoi “qeverinë” e fshatit… U gajasën edhe ndërkombëtarët…

Swiss Digital Desktop Reklama

Nejse. Po kur u dhanë në televizor  ëmbrat e “krietarëve”, m’u bë zemra mal.  Hajde Çeço, hajde. Një copë bari me dhënë e me dhi arrin të kandidoj për “krietar” i madh i bashkisë. Ja kësaj i them demokraci. E që të merrja vesh ca më shumë për këtë haber të madh, mora rrugën andej nga stanet e Çeços.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ishte kohë dreke. Si gjithmonë një herë në javë  nuk ka humbur tradita e “informacionit politik”. U ulëm prapë atje në byth të fiqve. Hija dhe një erë e lehtë na dukej se stani ishte me kondicioner. Rreth e rrotull u mblodhën dhe kafsharët. Parfumi i markës “Bajga” të çante hundën.

– Po si kështu, o byrazer? Kujt i vajti mendja tek ti? – theva “akullin” unë.

– A lëre, lëre o Çome,- filloi  Çeçua rrëfimin. – Vate kjo punë. Në fillim më hëngri torrovilja vetë. E dija të lehtë, meqë kisha qenë “krietar” i fshatit. Po këto marifete paskan  gjithë ato garramete.

– Do deklarosh çdo gjë, Çeço,- u hodh një kafshar i gjatë.

– Kjo punë do dhe shkollë,- shtoi nipi i Pinxho Kapellës.

– Mbylle gojën ti, kulaku i derrit! Ku e di ti që s’kam shkollë. – Ia priti Çeçua dhe nxori nga xhepi i pelerinës ushtarake dy copa letre. – Ja dëftesa e shkollës së mesme. Ja dhe  “dhiploma” e shkollës së lartë. Hë,  ç’do thuash nashti?

Këtu u pataksa dhe unë. Çeçua as filloren nuk e mbaroi. Që kur ishte kërthi e la shkollën fare. Vate kaçak ndër  male bashkë me shokun e tij moshatar, Babale.

– Do deklarosh pasurinë, – u dëgjua një zë nga mesi i kafsharëve.

– Këtu më merr të keqen, zotrote, – u përgjigj Çeçua.- Pasurinë time e kam trashëgim nga gjyshi dhe nga plaku. E kemi me djersën e ballit. Hë, fol o Çome!

– E mo kështu thonë të tërë, – ia priti ai kafshari që gjithmonë i lyen flokët me gjalp dhie.

– Dëgjo këtu ti ore, nipi berberit, – drejtoi gishtin shefi i stanit. – Gjyshi yt e bëri pasurinë me synetllëqe, gjyshi Pinxhos me spiunllëqe… Kurse unë e kam nga dhëntë e nga  dhitë. Kam shitur djath “bio”, gjizë dhe hirrë pa hile. Qumështit nuk i kam hedhur dhe aq shumë ujë, siç bëjnë ca e ca…

– Po gjizën e prishur pse e shite sa frëngu pulën? – foli ai zdapi i gjatë që rrinte në këmbë. – Harrove që të zuri policia?!

Dëgjoja këtë debat të ndezur e mendja me shkonte te ato studiot televizive që mbushen me llogje pazari. Toidhjo si në stanet e Çeços.

Edhe mua më bluante meraku për byrazerin. Si do ta kalonte vettingun, si do i tereziste gjithë ato shkresa.

– Po pastërtinë e figurës, e kalove?- pyeta unë.

– E kam të pastër qelibar, – tha Çeçua.- Konflike interesi s’kam,  borxhe s’kam, dashnore s’kam…

– Ke qënë i dënuar kur shite gjizën e prishur, – foli prapë ai zdapi i gjatë.

– Ore maskara, – u nxeh Çeçua. – Unë nuk shita asnjë lugë gjizë. Të dy qypat i rrëmbeu policia. Policët e shkretë i kishte marrë uria. Pse i zuri barku policët? A për këtë s’kam faj unë. Kush ha një lugë çorbë të prishur, vjell tërë jetën. Edhe policët e shkretë kështu i gjeti.  Nuk kishte radhë te haleja, të thom. Ulërinte haleja nga diareja… Megjithatë ja ku e kam edhe dëshminë e penalitetit,  – tha Çeçua dhe nxori një letër tjetër nga kapota ushtarake.

E ndërsa fliste, mua më brente akoma meraku se si do ia dilte në krye kësaj aventure.

– E ke menduar mirë këtë punë, o byrazer, se nuk është e lehtë? Ti vërtetë ke qënë “krieplak”, po është tjetër punë kjo. Nuk do merresh vetëm me punët në fshat. Të vjen festja vërdallë se duan dorovitur edhe ata  më lartë…

– Rri urtë e mos u fiqiros. Pse ç’kanë më shumë ata se unë, – ma ktheu Çeçua si furtunë.

– Po për votat ke menduar; kush do votojë për ty, o mavri?

– Rri o Çome, rri. – Ma ktheu Çeçua.- Ku di gjë ti! Për mua votojnë edhe dhëntë edhe dhitë…

Ja, kështu  u mbyll “informacioni politik”  atë ditë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?