Çejku: Rama e bëri Belerin eurodeputet, Andoni: I biri thotë se del në shtator nga burgu

Fitorja e Fredi Belerit në zgjedhjet europiane, për ish-ambasadorin Arben Çejku erdhi nga kryeministri Rama. Në studion e Debatit me Alba Alishanin, ai tha se e kishte paralajmëruar që Fredi Beleri do të vinte në qendër të politikës për shkak të retorikës politike të udhëhequr nga Rama. Sipas tij Rama duhet t’ia linte në dorë drejtësisë dhe jo të përballej me Greqinë.

“Do të jetë diku në arkivat tuaja në fakt kur unë kam deklaruar se një personazh periferie i parëndësishëm nga mënyra si menaxhohet procesi i tij me këtë retorikën politike nga Tirana, po e sjellin me dhunë në qendër të politikës . Dhe kur e kam thënë, nuk kam menduar Brukselin, por Tiranën. Se duke folur për një figurë të tillë dhe ky trend debati i udhëhequr nga kryeministri, sigurisht që do të çonte diku dhe logjika të çonte që ky njeri po bëhet i rëndësishëm me dhunë. I pari që e bëri eurodeputet është kryeministri ynë, i cili nuk kishte pse të ndërhynte me retorikat e veta, duhet t’ia linte drejtësisë. Edhe nëse Greqia hyri në debat politik të panevojshëm duhet ta linte këtë debat, pa u përballur dhe pa krijuar këto lloj konfrontimesh. Tani jemi para një fakti të kryer, që është zgjedhur eurodeputet me votat e Greqisë, por në Shqipëri konsiderohet hajdut i votave”.

Por pyetja që shtron Çejku është se cili nga shtetet do të prevalojë në këtë rast, Greqia apo Shqipëria, duke qenë se ky është një rast i paprecedentë.

“Kush do të prevalojë në këtë rast? Është rast i paprecedentë. Mund të kishte personazhe të tjera që të ishin zgjedhur dhe nesër të kalonin e të bënin betimin. Në rastin e Belerit duhet të jenë juristët që duhet ta diskutojnë më mirë. Në këtë rast të dyja shtetet kanë të drejtë Shqipëria të presë të gjitha proceset ligjore ndaj këtij personi. Do të presim që kjo të interpretohet. Unë sot jam kureshtar të shoh cila e drejtë do të prevalojë. Nuk mund të bëhet kjo gjë me kompromis se nuk mund të thuhet meqë u zgjodh deputet të dalë nga burgu dhe të shkojë atje. Jo sepse i bie që të jetë mbajtur në burg politikisht dhe kjo është shumë e rëndë. Përderisa i kemi qëndruar variantit që u kap me presh në dorë institucionet e drejtësisë duhet të vërtetojnë ose jo këtë. Vetëm në momentin që do të ketë një vendim gjykate ai mund të shkojë dhe ka gjithë të drejtën të përfaqësojë Greqinë. Kjo ka krijuar një precedent dhe unë do ta lë me kaq. Më tutje duket spekulative”.

Për analistin Ben Andoni, do të ketë presion nga jashtë ndaj autoriteteve shqiptare për Belerin. Ai thotë se i biri i tij ka deklaruar që do të dalë në shtator nga burgu.

“Sukses i politikës elektroale që bëri Mitsotakis. Sistemi i drejtësisë ka barrën e provës. Pas pak ditësh fillon plotësimi i kredencialeve të deputetëve të PE. Do të ketë një presion të jashtëm ndaj drejtësisë shqiptare. I biri është shprehur hapur që Beleri do të dalë në shtator dhe gjithçka duket e kopsitur. Presioni do të jetë shumë i madh ndaj drejtësisë shqiptare. Unë mendoj se Beleri do të sakrifikojë bashkinë”.

SHKARKO APP