Ceka e paralajmëroi, Butrinti jepet me koncension
Qendra më e njohur arkeologjike në Shqipëri, qyteti antik i Butrintit, pritet të menaxhohet për dhjetë vitet e ardhshme nga një agjenci e re. Në ligjin e miratuar së fundmi, ajo njihet si “Fondacion”, por për të nuk ka shumë hollësi, me përjashtim të faktit, që do të jetë një partneritet mes Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik.
Ndryshimi është pjesë e “Planit të Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, një dokument prej 300 faqesh, miratuar nga qeveria shqiptare dhe hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF), informon Zëri i Amerikës.
Kjo do të ishte hera e parë që në menaxhimin e qytetit antik të Butrintit do të përfshihej drejtëpërdrejt edhe një subjekt jo-publik.
Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, Ministria e Kulturës tha se “Fondacioni” i ri do të krijohet përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me një partner strategjik, për të cilin ajo nuk dha shumë hollësi, por shtoi se “organizimi dhe funksionimi i “Fondacionit” do t’i nënshtrohen legjislacionit për organizatat jofitimprurëse”. Marrëveshja mes Ministrisë së Kulturës dhe fondacionit të ri duhet të miratohet në parlament.
Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, një organizatë që ka rreth 10 vjet e përfshirë në projekte për Butrintin, dhe së fundmi financuese e studimit, e pyetur nga Zëri i Amerikës nëse është e interesuar të jetë partneri strategjik, ndonëse nuk u përgjigj drejtpërdrejt, la të kuptohet se është e interesuar. “Duke konsideruar rëndësinë e Butrintit si një Sit i Trashëgimisë Botërore dhe faktin se administrimi indirekt i trashëgimisë kulturore është një risi në kontekstin shqiptar, nuk do të ishte e kujdesshme që qeveria të mos përfshinte një donator të besueshëm dhe të gatshëm në fillim të procesit të ri. Për këtë, AADF ka angazhuar deri tani mbi 7 milion USD për projektin e Butrintit”, shprehet AADF.
Më tej, ajo shpjegon se: “fondet e dedikuara dhe të gjitha të ardhurat e tjera të krijuara do përdoren vetëm për pasurinë kulturore dhe Parkun Kombëtar të Butrintit. Themeluesve nuk u lejohet asnjë përfitim financiar dhe material nga të ardhurat dhe fitimet e fondacionit, apo kthim të investimit të tyre”.
Studiues dhe emra të njohur të trashëgimisë kulturore shqiptare kanë ngritur shqetësime për një formë të tillë menaxhimi të Butrintit përmes fondacioneve jo-shtetërore.
Sipas studiuesit Agron Alibali, në menaxhimin e Butrintit, si pasuri e UNESCO-s, me formën e re Shqipëria është në shkelje të Konventës së Parisit, e cila përcakton rolin e padiskutueshëm parësor të shteteve anëtare, të njohura si “shtete palë”, në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre.
Ndërsa sipas arkeologut të njohur Neritan Ceka, Plani i Menaxhimit nuk kishte në ekipin e tij asnjë arkeolog shqiptar.
E pyetur nga Zëri i Amerikës për këto kritika, Ministria e Kulturës thotë se Plani i ri i Menaxhimit ka qenë objekt i një konsultimi të gjatë me Qendrën e Trashëgimisë Botërore (UNESCO) dhe trupat këshillimore ICOMOS dhe ICCROM.
Plani, sipas Ministrisë së Kulturës, është hartuar në referencë të plotë me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe rekomandimet e Vendimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe organeve këshillimore të Qendrës së Trashëgimisë Botërore/UNESCO”.
Një tjetër çështje e ngritur nga kritikët është mos-shfrytëzimi i nivelit të lartë të të ardhurave që realizon Butrinti aktualisht (në pritshmërinë e rreth 1 milionë dollarëve në vit) nga të cilat Parku nuk harxhon as 30% të tyre.
Kritikët thonë se me këto tregues financiarë, Butrinti nuk ka nevojë për një partneritet me subjekte private.
Ministria e Kulturës pohon se “edhe pse sistemi aktual i menaxhimit ka siguruar i sforcuar mbrojtjen e vlerave kulturore të Parkut, ai nuk është fleksibël, nuk ka arritur pritshmëritë e tij dhe nuk garanton në perspektivë mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore dhe natyrore”. Ministria e Kulturës “i lidh nevojat për ndryshim në Butrint nga nevojat për të sjellë burime të reja financimi, të qëndrueshme dhe afatgjatë dhe qasje të reja menaxhimi për Parkun Kombëtar”.
Plani i ri i menaxhimit i sapomiratuar ndan qytetin antik
Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Butrintit, parashikon krijimin e një “Fondacioni” të ri, që do të menaxhojë vetëm qytetin antik të Butrintit, duke e ndarë atë nga sipërfaqja e përgjithshme aktuale e Parkut Kombëtar prej 9424 hektarësh.
Qyteti Antik ka një sipërfaqe prej 614 hektarësh dhe njihet si zona A-3. Aktualisht i gjithë Parku Kombëtar menaxhohet nga agjencitë shtetërore dhe ai përfshin si qytetin antik ashtu edhe pjesën natyrore përreth qytetit.Zona A-3 është një pjesë e sipërfaqes prej 2500 ha që mbrohet nga UNESCO.
Autoritet shqiptare thonë se do të dëshironin ta shtrinin menaxhimin në gjithë sipërfaqen prej 9424 ha, por sipas ligjeve në fuqi, kjo nuk është e mundur. Në dokumentin e miratuar thuhet se“sipas rregullimeve aktuale nuk mund të krijohet një fondacion i posacëm për mbarë Parkun Kombëtar edhe nëse kjo do ishte e dëshirueshme”.
Plani i Menaxhimit të Butrintit një sfidë prej vitesh për autoritetet shqiptare
UNESCO në vitin 2012, pas një misioni monitorues në Butrint, u kishte kërkuar autoriteteve shqiptare si “shteti palë” hartimin e një plani të kombinuar menaxhimi, që do të përfshinte si qytetin antik të Butrintit edhe pjesën e mbrojtur natyrore përreth tij.
Ministria e Kulturës ngriti atëherë një grup ndër-institucional për hartimin e planit nën drejtimin e Parkut të Butrintit.
Ky proces u mbështet financiarisht po nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.
Studimi përfundoi në vitin 2013 dhe nuk parashikonte menaxhimin e Butrintit përmes një pale të tretë, por përmes forcimit të kapaciteteve dhe bashkërendimit nga institucionet shqiptare. Studimi gjithsesi mbeti në formë projekti dhe nuk u miratua ndonjëherë.
Procesi i menaxhimit të Butrintit u rihap përsëri në tetor të vitit 2018 kur u nënshkrua një tjetër marrëveshje për bashkëpunim midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me një financim prej 250 mijë dollarësh prej këtij të fundit.
Marrëveshja pasoi miratimin e Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ku parashikohej edhe administrimi indirekt i pasurive kulturore shqiptare në pronësi publike.
Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës se përse ishte hequr dorë nga dokumenti i vitit 2013, Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit tha se “përvoja gjatë fazës së parë të ndërhyrjeve në Butrint i njohu me shumë problematika në operim, të cilat në një këndvështrim më të gjerë shtronin nevojën e rishikimit të kornizës ligjore në sistemin e trashëgimisë kulturore dhe kërkimin e modeleve të reja në menaxhimin e siteve”.
Si rrjedhojë, thotë AADF “u gjykua që plani i menaxhimit të integruar të Butrintit do ishte më efektiv nëse do të hartohej pas reformës ligjore të cilën Ministria e Kulturës e kishte nisur dhe që e finalizoi në Maj 2018 me miratimin e Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë.”