Çela thirrje drejtuesve të prokurorive: Rekomandimet e qeverisë, qasje strategjike në goditjen e krimit

Këtë të premte u mbajt takimi i përcjelljes së rekomandimeve të qeverisë për Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me luftën ndaj kriminalitetit. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela theksoi ndër të tjera se rekomandimet kanë rol thelbësor në drejtim të përqasjes së prioriteteve e objektivave mes ekzekutivit dhe prokurorisë duke mundësuar menaxhimin e duhur të kapaciteteve njerëzore e teknike në funksion të përmbushjes së tyre.

”Duke i konsideruar këto rekomandime si një moment kyç në drejtim të qasjes strategjike që institucionet duhet të kenë në goditjen e krimit, vitin e kaluar ndërmorëm masa konkrete për të rikonceptuar modelin tonë të veprimit në këtë aspekt. Për herë të parë u miratua udhëzimi për zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave i cili u është dërguar për zbatim të gjithë prokurorive ndërkohë që u miratua edhe një plan veprimi nga ana jonë. Këto masa synuan rritjen e cilësisë së veprimtarisë së prokurorisë, me fokus marrjen e masave që do të konkretizonin këtë vullnet ndërinstitucional për realizimin e objektivave”, tha Çela.

Nga ana tjetër sipas Prokurorit të Përgjithshëm ka ende shumë punë për t’u bërë në drejtimin organizativ dhe matjes objektive të treguesve të prokurorive. Në fund, Çela i tërhoqi vëmendjen drejtuesve të prokurorisë që të vlerësojnë maksimalisht rekomandimet. ”Dua sot t’u tërheq vëmendjen drejtuesve të prokurorive për t’i vlerësuar maksimalisht rekomandimet dhe në vijim të hartojnë plane të qarta veprimi për ndjekjen e tyre, në zbatim edhe të udhëzimit përkatës”.

SHKARKO APP