Çelet Panairi i Punës i bizneseve greke në Tiranë, Veliaj: 800 vende të reja pune për të rinjtë

Për dy ditë me radhë në Pallatin e Kongreseve ekspozohen qindra vende të reja pune, të cilat ofrohen nga bizneset greke në Tiranë. Panairi i Punës “Syn Ergasia” është vizituar ditën e sotme, në ceremoninë e hapjes së tij edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai vuri në dukje faktin e marrëdhënieve të veçanta të ndërtuara ndër vite mes dy vendeve, të cilat kanë prodhuar sot shumë pika të përbashkëta ekonomike. Veliaj tha se ky event, që vjen në kuadër edhe të Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë, ofron 800 vende të reja pune për të rinjtë shqiptarë.

“Më vjen shumë mirë kur shikoj numrin 800 të vendeve të punës, por nuk janë vetëm 800 bordero, janë dhe 800 marrëdhënie njerëzish. Lidhja dhe bashkëpunimi mes njerëzve është garancia për këtë sukses. Mënyra se si shkëmbejmë energji me njëri-tjetrin është e rëndësishme, por faktet janë akoma më të rëndësishme dhe fakti që sot shkëmbimi tregtar, import-eksportet, mënyra sesi kompanitë e përbashkëta greko-shqiptare prodhojnë ekonomi dhe punësim është për t’u vlerësuar,” tha mes të tjerash Veliaj.

Veliaj i cili përshëndeti hapjen e këtij Panairi së bashku me kryetarin e Bashkisë së Selanikut, Konstantinos Zervas, u shpreh se Tirana dhe Selaniku kanë shumë për të shkëmbyer. “Dua që të përshëndes të ftuarin e nderit, mikun tim Kosta, i cili është kryetari i Bashkisë së Selanikut, një bashki që në vitin 2014 ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë. Sot jemi ne që po mësojmë nga më të mirët. Kosta tha që është rikthyer në tokën e stërgjyshes, ndërkohë që për shumë prej nesh Greqia ka qenë një shtëpi e dytë. Ka shumë të bëjë kush janë komshinjtë e tu dhe ne në Shqipëri jemi të bekuar që rrethohemi nga fqinj të mirë”.

Kryetari i Bashkisë së Selanikut, Konstantinos Zervas, u shpreh i lumtur se bashkëpunimi mes dy qyteteve do të vijojë të rritet në të ardhmen. “Duke parë gjithë përpjekjet për Tiranën, për infrastrukturën, për hapësirën publike, për rritjen, për prosperitetin ne jemi shumë të lumtur që të bashkëpunojmë në të ardhmen. Në anën tjetër jam shumë krenar që shumë kompani nga Selaniku janë këtu në Tiranë. Jam këtu si kryetar i Bashkisë së Selanikut për të sjellë gjithë përpjekjen time për vazhdimin e këtij progresi dhe shpresoj që të kemi një histori suksesi”.

“Syn Ergasia”, Panairi i Punës dhe Aftësive përfaqëson një përpjekje të përbashkët të Ambasadës së Greqisë në Tiranë, Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës Helenike të Biznesit të Shqipërisë. Panairi do të zgjasë 2 ditë të cilat do të jenë të dedikuara për mundësitë e punësimit dhe ndërtimin e karrierës.

SHKARKO APP