Çelet Zyra e Prokurorit të Shqipërisë në Hagë, Çela: Luftojmë krimin

Zyra e Prokurorit Ndërlidhës të Shqipërisë pranë selisë së Eurojust në Hagë u përurua sot nga Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela dhe Presidenti i Eurojust, Ladislav Hamran. Çela tha se ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm përpara në luftën kundër të gjitha llojeve të krimeve që tejkalojnë kufijtë tanë.

“Bashkëpunimi ynë i forcuar tashmë nëpërmjet Eurojust-it shënon një hap të rëndësishëm përpara në luftën kundër të gjitha llojeve të krimeve që tejkalojnë kufijtë tanë. Rruga që kemi ndërmarë do të na mundësojë të konsolidojmë përvojat dhe kapacitetet, si dhe të përgjigjemi në një mënyrë më të organizuar institucionale ndaj kërcënimit serioz që krimi i organizuar transnacional po paraqet për shoqëritë tonë”.

Presidenti i Eurojust Ladislav Hamran shtoi më tej se Bashkimi Evropian dhe Shqipëria janë fqinj e partnerë. Ceremonia u ndoq edhe nga Kreu i Prokurorisë Speciale, SPAK Arben Kraja, i cili udhëtoi një ditë më parë drejt Holandës. Hapja e Zyrës përkoi me takimin e parë vlerësues për marrëveshjen e bashkëpunimit me Shqipërinë, e cila hyri në fuqi vitin e kaluar.

SHKARKO APP