Çelja e fushatës, Ivi Kaso: Nesër stadiumi do ketë dyndje njerëzish! PD qëndron larg tallavasë

Nesër koalicioni ”Bashkë Fitojmë”, çel fushatën zgjedhore për 14 Majin. Sekretari për çështjet zgjedhore dhe ligjore në PD, Ivi Kaso ka folur këtë të Premte përmes një lidhjeje Skype për Klan News, duke dhënë më shumë detaje për çeljen e fushatës nesër në “Air Albania”. Kaso thekson se thirrjes për t’u bashkuar këtij eventi të rëndësishëm për PD-në dhe koalicionin opozitar, qytetarët i janë përgjigjur me shumë entuziazëm. Ai shtoi se pritet që stadiumi të mbushet përtej kapaciteteve të tij mbajtëse.

”Fushata elektorale zyrtarisht ka filluar sa i takon dhe afateve të përcaktuara nga ligji zgjedhor. Është parashikuar pjesëmarrja masive dhe sa kam qenë në kontakt në terren ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm në degë, me simpatizantë të PD, qytetarë që janë njoftuar që t’i bashkohen çeljes tonë.

Kapaciteti i stadiumit është rreth 20 mijë pjesëmarrës të cilët kemi qenë të gjithë dëshmitarë që në eventin e fundit publik numri i pjesëmarrësve e ka tejkaluar shumë herë këtë numër. Do ketë vështirësitë e saj akomodimi.

Sapo janë shpërndarë ftesat dhe elementët që i ftojnë demokratët në event. Ky entuziazëm me të cilën është pritur thirrja na bën shpresëplotë, që stadiumi jo vetëm do të jetë i mbushur, por do ketë dyndje njerëzish. Do të flasin eksponentë të Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë, do prezantohen kandidatët”,-tha Kaso.

Sa i takon këngës me të cilën PS ka prezantuar fushatën, Kaso e cilësoi “tallava” dhe që lë një shije të keqe te njerëzit. E për këngën që do ketë “Bashkë Fitojmë” ai nuk dha detaje, duke e lënë suprizë për të shtunën.

SHKARKO APP