Justifikimi i PS për censurën ndaj medias: Na mbështet BE!

Taulant Balla
Taulant Balla

Paketa e ligjeve kundër medias ka sjellë reagime të forta nga gjithë shoqëria civile, gazetarët dhe organizata ndërkombëtare. Në komisionet e Kuvendit prej dy ditësh gazetarë të ndryshëm kanë bërë denoncime të forta, duke e cilësuar nismën e PS  si “projekt fashist”. Organizata ndërkombëtare të lirisë së mediave kanë reaguar prej kohësh duke kërkuar nga qeveria shqiptare të mos miratojë ligje që rrezikojnë lirinë e fjalës. Zyra e OSBE për median, gjithashtu ka bërë disa deklarata ku kritikon nene të veçanta të ligjit the thekson rrezikun e ndërhyrjes së qeverisë në të drejtën e mediave dhe qytetarëve për informim.

Megjithë kritikat e mëdha kundër këtyre ligjeve PS sërish nuk heq dorë nga miratimi i tyre brenda muajit dhjetor. Justifikimi i fundit i PS-së për ligjet anomale është bërë sot nga kreu i deputetëve të PS, Taulant Balla. Në komisionin parlamentar të Integrimit, kreu grupit parlamentar socialist ,Taulant Balla tha qeveria ka marrë mbështetjen e Komisionit Europian për këto ligje dhe sipas tij, asnjë moment nuk cenohet liria e shprehjes. Duke folur në emër të mazhorancës, Taulant Balla deklaroi se nismat nuk kanë gjetur aspak kundërshtinë e Brukselit zyrtar, i cili ka bërë apele vetëm për rregullime.

Realisht nuk ka asnjë qëndrim zyrtar të BE-së për miratimin e ligjeve që censurojnë mediat. Ka direktiva të përgjithshme që lidhen me fake news, por në asnjë rast nuk ka qëndrime që lejojnë zbatimin e ligjeve që censurojnë mediat. Nëse ka qëndrime konfidenciale nga BE  pro këtij ligji, ky do ishte rasti i parë kur zyrtarë të BE mbështesin censurën e mediave. Por qëndrimi i PS duket se është një justifikim i qëllimshëm, pasi tjetër gjë është legjislacioni kundër lajmeve të rreme dhe tjetër gjë projekti që po miraton PS, i cili godet lirinë e medias dhe jo Fake News.

SHKARKO APP