Censusi, policia: Të dhënat do vlejnë për rritjen e pagave
Prej 17 korrikut të vitit 2019 në e-mailet e policëve në të gjithë vendin është shpërndarë urdhri i drejtorit të policisë, ku uniformave blu u kërkohet vetë-deklarim për kushtet ekonomike. Policët pyeten të deklarojnë nëse kanë një apartament në pronësi apo me qira, cila është gjendja e tij, si është niveli i tyre ekonomik, sa pjesëtarë të familje punojnë si dhe numrin e pjesëtarëve të familjes.
Sipas ”Report Tv”, këto të dhëna u kërkohen pak muaj pasi ata kanë depozituar formularët e vetë-deklarimit për efekt të Vetting-ut, proces i cili me sa duket ende s’është gati të nisë. Pjesa më e madhe e efektivëve të policisë tashmë i janë përgjigjur këtij formulari, ndërsa ka pasur edhe prej atyre të cilët kanë qenë apo janë me leje dhe ende s’kanë mundur.
Në e-mailin e kreut të bluve Ardi Veliu çdo refuzim për ta plotësuar paralajmërohet me masë ndëshkuese. Në grupin e dytë të pyetjeve për afro 10 mijë efektivët në terren janë dhe ato për elektro-shtëpiaket, ku pyeten nëse kanë lavatrice, frigorifer, televizior, bolier. Efektivët janë pyetur të deklarojnë të ardhurat totale të familjes qofshin këto nga ente publike apo private me të cilat ai dhe familjarët mund të kenë marrëdhënie.