Certifikata për inxhinierët vullnetarë nga Kosova, Shahini: Nuk patët kërkesa

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka shprehur mirënjohjen e saj për inxhinierët nga Kosova të cilët ndihmuan Shqipërinë në konstatimin e dëmeve në shkolla e banesa pas tërmetit të 26 nëntorit. Në një event simbolik të zhvilluar pranë ambienteve të MASR, Ministrja Shahini shpërndau certifikata mirënjohjeje për inxhinierët vullnetarë të Kosovës, duke përcjellë edhe një falënderim të sinqertë për të gjithë vullnetarët. ”Do të doja t’ju falënderoj sinqerisht. Keni treguar jo vetëm një profesionalizëm të madh por edhe shpejtësinë me të cilët jeni organizuar, dhe kohën që keni ndarë për ne, modestinë me të cilën na jeni afruar ku jeni përshtatur me kushtet në të cilat ishim ne. Nuk keni patur kërkesa, përkundrazi jeni afruar edhe me gjëra që nuk i keni detyrim t’i bëni siç ishin mbulimi i shpenzimeve tuaja të akomodimit dhe përdorimi i automjeteve”.

Gjatë fjalës së saj kujtoi edhe momentet e para kur është lajmëruar për grupin e parë të inxhinierëve që do të vinin në Tiranë. “Vendosëm të mbyllim shkollat me datë 27 nëntor dhe të fitonim pak kohë për të parë se kur realisht mund të fillonim mësimin. Kontaktova me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, me Drilonin e Ndërmarrjes Publike Banesore dhe disa arkitektë që njihja në Prishtinë, të cilët i pyeta nëse e kishin të mundur të na dërgonin 4-5 inxhinierë për të parë shkollat më problematike. Kështu, do të mund të merrnim një vendim paralelisht me inxhinierët e bashkive që shkonin për t’i parë. Më merr Driloni në telefon dhe më thotë: ”Jo katër, por dyzetë”, u shpreh ministrja.

Ndër të tjera, ajo shprehet, se ”nga vizita juaj e parë, ne arritëm të marrim informacion mjaftueshëm që të merrnim vendimin që me 2 dhjetor t’i hapnim shkollat në të gjitha zonat që nuk ishin të prekura direkt. Më pas të fillonim gradualisht me hapjen e shkollave në qarkun Lezhë, pastaj në qarkun Tiranë e Durrës me datë 9 dhjetor”.

Ministrja Shahini u ndal edhe tek puna e grupit të dytë të inxhinierëve prej 30 vetësh, i cili sipas saj ka bërë një punë edhe më të thelluar: “Disa shkolla që i kishte parë grupi i parë u vizituan edhe një herë më me kujdes, përfshirë edhe shkollat private, të cilat zakonisht si ministri nuk ishim marrë me këtë pjesë, pasi mund t’u kërkonim që t’i bënin me ekspertë privatisht para se t’u jepnim leje për hapjen, por ne nuk donim të rrezikonim fare. Kjo na dha një siguri që shkollat që kanë marrë konfirmimin për t’u hapur janë të përshtatshme për mësim”.

Kujtojmë se janë mbi 70 inxhinierë vullnetarë kosovarë, të cilët menjëherë pas tërmetit kanë shprehur vullnetin e tyre për të inspektuar në terren qëndrueshmërinë e godinave të universiteteve, shkollave, kopshteve dhe çerdheve (publike dhe jo-publike), si dhe banesave në Qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Lezhës.

SHKARKO APP