Çfarë dihet për dozat përforcuese për koronavirusin, kush pritet t’i marrë dhe detaje të tjera…
Zyrtarët shëndetësorë amerikanë njoftuan më 18 gusht se dozat përforcuese të vaksinave kundër COVID-19 do t’u ofrohen amerikanëve që kanë marrë vaksinat Pfizer/BioNtech dhe Moderna pasi studimet treguan se mbrojtja e vaksinave bie me kalimin e kohës.
Zyrtarët e bënë njoftimin duke cituar tre studime që tregojnë dobësim të efektivitetit të dy vaksinave, të cilat janë më të përdorurat në Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet rekomanduan që njerëzit të marrin vaksinën e tretë Pfizer ose Moderna tetë muaj pas marrjes së vaksinës së tyre të dytë.
Vaksinimi me doza përforcuese do të fillojë më 20 shtator.
Personat që kanë marrë një dozë të vaksinës Johnson & Johnson gjithashtu do të kenë nevojë për vaksina shtesë, thanë zyrtarët shëndetësorë. Por, nevojiten më shumë të dhëna para se të bëhet një rekomandim.
Më poshtë mund të mësoni lidhur me dozat përforcuese dhe se si ato mund të ndihmojnë në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, shkruan Associated Press.
Pse mund të jenë të nevojshme dozat përforcuese?
Është e zakonshme që mbrojtja që ofrojnë vaksinat të bie pas një kohe. Vaksinat kundër tetanosit, për shembull, rekomandohen që të merren çdo 10 vjet.
Hulumtuesit dhe zyrtarët shëndetësorë janë duke monitoruar performacën e vaksinave kundër COVID-19 në mbarë botën, për të parë se sa zgjat mbrojtja nga vaksinat. Vaksinat, që janë të autorizuara për përdorim në Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje të fuqishme kundër sëmundjes së rëndë dhe vdekjes.
Por, testet laboratorike të gjakut kanë sugjeruar se antitrupat – një prej shtresave të mbrojtjes së sistemit imunitar – mund të pakësohen me kalimin e kohës. Kjo nuk do të thotë se mbrojtja zhduket, por mund të nënkuptojë se mbrojtja nuk është aq e fuqishme ose që trupit do t’i duhet më shumë kohë që ta luftojë infeksionin.
Varianti Delta i koronavirusit e ka komplikuar përgjigjen në pyetjen se kur duhet dhënë përforcues sepse ky variant është shumë më ngjitës dhe shumica e të dhënave të mbledhura për performancën e vaksinave janë para se Delta të përhapej gjerësisht. Delta po përhapet në të njëjtën kohë kur imuniteti nga vaksinat po bie te personat e parë të vaksinuar kundër COVID-19.
Izraeli po ofron doza përforcuese për personat mbi 50 vjeç që janë vaksinuar mbi pesë muaj më parë. Gjermania dhe Franca po ashtu po planifikojnë që në vjeshtë të ofrojnë doza përforcuese për disa njerëz. Agjencia Evropiane e Barnave gjithashtu ka thënë se po rishikon të dhënat për të parë nëse janë të nevojshme dozat përforcuese.
Kur do të fillojnë të jepen dozat përforcuese?
Kjo varet se kur njerëzit kanë marrë dozat e para të vaksinës. Një mundësi është që zyrtarët shëndetësorë të rekomandojnë që njerëzit të marrin dozat përforcuese rreth tetë muaj pasi kanë marrë dozën e dytë të Pfizer dhe Modernas – dy llojet e vaksinave që jepen në SHBA.
Zyrtarët po vazhdojnë të mbledhin informacione rreth vaksinës Johnson & Johnson që jepet përmes një vaksine – që po ashtu në shkurt u autorizua për përdorim në SHBA –për të parë nëse duhet të rekomandojnë doza përforcuese.
Kush pritet të marrë doza përforcuese?
Personat e parë të vaksinuar në Shtetet e Bashkuara me gjasë do të ishin të parët që do të merrnin dozat përforcuese. Kjo do të thotë se punëtorët e kujdesit shëndetësor, banorët e shtëpive të kujdesit dhe të moshuarit amerikanë do të merrnin dozat përforcuese, pasi ata të parët u vaksinuan, pasi vaksinuat u autorizuan për përdorim në dhjetorin e vitit të kaluar.
Cili është dallimi mes dozës përforcuese dhe dozës së tretë?
Personat që kanë transplantuar organe të ndryshme dhe personat që kanë sistem të dobët imunitar mund të mos kenë marrë mbrojtje të mjaftueshme nga vaksinat. Ata tani mund të marrin dozën e tretë të vaksinës 28 ditë pasi kanë marrë dozën e dytë, me qëllim që të konsiderohen plotësisht të vaksinuar. Por, për njerëzit që kanë sistem normal imunitar, dozat përforcuese jepen më vonë pas vaksinimit të plotë – jo për t’iu ofruar mbrojtje, por për ta përmirësuar mbrojtjen e fituar nga vaksinat.
Cilat janë pyetjet pa përgjigje?
Është ende e panjohur nëse njerëzit duhet të marrin vaksinën e njëjtë, sikurse e kanë marrë në dozat e para. Këshilltarët kryesorë shëndetësorë në SHBA po shikojnë për të dhënat lidhur me sigurinë e dozave përforcuese, për të parë se sa ofrojnë mbrojtje kundër infektimit dhe sëmundjes së rëndë.
Qasja botërore në vaksina është po ashtu një element i rëndësishëm në pandemi dhe për të parandaluar shfaqjen e varianteve të reja. Dhënia e dozave përforcuese do të zvogëlonte po ashtu furnizimet botërore me vaksina.
Çfarë ndodh me të pavaksinuarit?
Dr. Melanie Swift, që udhëheq programin e vaksinimit në Klinikën Mayo në Minesota, tha se dhënia e vaksinave për personat që ende nuk janë vaksinuar “është mjeti ynë më i mirë, jo vetëm për të parandaluar hospitalizimet dhe vdekshmërinë nga varianti Delta, por edhe për të ndalur transmetimin” e virusit. Çdo infektim, tha ajo, “i jep virusit më shumë mundësi që të pësojë mutacione dhe të krijohet ndonjë variant i ri”.
“Njerëzit që të parët morën vaksinat me gjasë do të kërkojnë që të marrin dozat përforcuese”, tha Swift.
“Por, kjo nuk do të na mundësojë që të arrijmë qëllimin tonë nëse të gjithë të pavaksinuarit nuk vaksinohen”, shtoi ajo.
Burimi: REL