Çfarë do të ndodh me tryezën e bashkimit? Boçi: Ndikoi edhe rikthimi i Bashës, zgjerimi duhet të vijojë
SI kurrë më parë që prej përçarjes, 43 deputetë demokratë të dalë nga zgjedhjet e vitit 2021 u bënë bashkë të martën. Takimi erdhi për shkak të disa rrethanave, ku një ndër to ishte dhe rikthimi i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike zyrtare. Kështu thotë nënkryetari i Rithemelimit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi.
“Rrethana ka të caktuara, gjithmonë për ngjarje të mëdha ka rrethana të vogla që e shtynë ngjarjen përpara. Presioni i elektoratit ka qenë i madh që bashkimi të realizohej”,-tha Boçi në ”A2cnn”.
Kërkesa që patën deputetët, pasi grupi i deputetëve u angazhuan që Lulzim Basha të jepte dorëheqjen dhe ky grup deputetësh nuk mund të përulej para një rikthimi. Sipas tij takimet mes deputetëve duhet të vijojnë dhe kërkoi zgjerimin e frontit opozitar duke u bërë një ftesë për bashkim dhe atyre që janë rreshtuar krah Bashës.
“Ky zgjerim duhet të vazhdojë, komunikimi duhet të vijojë dhe me pjesën tjetër, përveç atyre përjashtimeve. Ka ende koka të nxehta brenda nesh dhe këto duhet të ftohen dhe ky bashkim është i domosdoshëm”.
Teza e hedhur muaj më parë për nevojën e regjistrimit të një sigle të re nga Sali Berisha pranohet edhe nga Luçiano Boçi se është diskutuar në selinë blu, por ai është skeptik që kjo mund të ndodhë. Mbledhjet e radhës së deputetëve demokratë për Boçin duhet të bëhen në seli, pasi sipas tij simbolika është shumë e rëndësishme dhe jep peshë tjetër në luftën përballë qeverisë.