Çfarë do të ndodhë në vjeshtë? Tomini: Do kemi viruset stinore, jemi në gatishmëri
Eugena Tomini, specialiste e ISHP-së, teksa përditëson shifrat e Covid-19 në Shqipëri, pranon se ka një trend në rritje të infektimeve me intensitet që shkon nga 100-150 raste në ditë. Çfarë vihet re më shumë janë infektimet e moshave të reja, të cilët vijojnë ende të tregojnë neglizhencë kundrejt virusit. Pyetja e pashmangshme që dëgjojmë më shpesh është: Çfarë do të ndodhë në vjeshtë? Sipas saj, ardhja e shtatorit përpos Covid-19, sjell viruse stinore.
“Kemi një trend të lartë të përhapjes së virusit. Kemi një intensitet që përvijon me nga 100-150 raste në ditë. Janë evidentuar që kemi dhe raste në grupmoshë të re. Të rinjtë po tregojnë një neglizhencë ndaj masave. Sa i përket ecurisë klinike të rasteve nuk e ndjek, duhet të flasin specialistët. Negativizimi i pacientëve është diçka që bëhet nga mjekët që e kanë ndjekur. Janë elementë klinikë që duhen vlerësuar vetëm nga mjekët që ndjekin rastet. Por duhet theksuar se koronavirusi është shumë tinëzar. Janë ca elementë që mbase do vlerësohen pasi të ketë mbaruar pandemia, për të hedhur dritë mbi rastet. Nuk mund të flas në emër të frikës, pasi për mjekët frika nuk është element i tyre. Vërtet Covid-19 gjunjëzoi të gjithë, por dua të them që të gjitha strukturat janë në gatishmëri për të përballur situatën. Sigurisht që do të ketë vështirësi në vjeshtë. Nuk mund ta mohojmë që do të ketë vështirë, por e pamundura do të bëhet e mundur. Do të jemi të gjithë në gatishmëri për të raportuar të gjitha rastet, deri në nivele madhore. Sigurisht që do të përballemi me problemet respiratore, por edhe me Covid-19 njëkohësisht”.