Çfarë është bërë deri më tani, pas tërmetit katastrofik që shkundi Shqipërinë
Kur numërohen 6 ditë nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit me magnitudë 6.4 që goditi Shqipërinë dhe ku humbën jetën 51 persona, zyra e Drejtuesit Qendror të Operacioneve për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore ka dalë me një komunikatë informuese për punën e institucioneve publike për adresimin e pasojave.
Ndër to njoftohet se: U miratuan nga Këshilli i Ministrave paketat e ndihmës për familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që përfshijnë strehimin e menjëhershëm të familjarëve, pensione speciale, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë mortore;
-Janë kontaktuar familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre të menjëhershëm dhe fillimin e procedurave për marrjen e pensioneve speciale;
Komunikata e plotë
Sot është dita e gjashtë pas tërmetit të rëndë të 26 nëntorit, i cili solli tragjedinë e humbjes së jetës për 51 bashkëqytetarët tanë, dhe shkaktoi të lënduar dhe dëme të mëdha në shumë banesa në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë, Lezhë.
Kjo komunikatë e përditshme për media ofron informacion mbi punën e institucioneve publike për adresimin e pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor 2019, pa pasur pretendimin që kjo pasqyrë të jetë shteruese, duke qenë se veprimet e ndërmarra janë në proces, dhe ecin përpara me shpejtësi.
Gjatë ditës së sotme:
U miratuan nga Këshilli i Ministrave paketat e ndihmës për familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që përfshijnë strehimin e menjëhershëm të familjarëve, pensione speciale, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë mortore;
Janë kontaktuar familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre të menjëhershëm dhe fillimin e procedurave për marrjen e pensioneve speciale;
Vazhduan të funksionojnë Shtabet e Emergjencës;
në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilat menaxhojnë të gjitha aspektet e punës për adresimin e pasojave afatshkurtra dhe afatmesme të tërmetit;
Vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim;
Numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2633;
U liruan katër palestra në Durrës, pas verifikimeve të bëra me Njësitë Administrative. Banorët që janë bërë të pastrehë nga tërmeti u sistemuan në strukturat hoteliere.
Në Tiranë pesë Qendrat Sociale vazhduan të ofrojnë strehim dhe ushqim për banorët e pastrehë për shkak të termetit.
Vazhdoi gjatë ditës së sotme shpërndarja e ushqimeve, veshjeve, barnave, produkte higjenike, për të gjithë qytetarët e akomoduar në hotele dhe për ata që kanë zgjedhur të qendrojnë në çadra pranë shtëpive të tyre, kryesisht në zonat rurale.
Kjo përfshin bashkërendimin e ndihmave të ofruara nga shumë bashkëqytetarë, biznese, organizata jofitimprurëse vendase dhe të huaja (Itali, Greqi, Zvicër, etj.), vëllezër dhe motra nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga disapora;
Në hotelet ku janë strehuar qytetarë, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, vazhdoi të ofrohet shërbim mjekësor dhe ndihmë psiko-sociale pa ndërprerje, u përgatitën listat e fëmijëve dhe vazhduan përgatitjet për transportin e tyre për në shkolla dhe të prindërve për në vendet e tyre të punës;
Grupi i Ekspertëve të Vlerësimit të Banesave i përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, të organizuar në 11 grupe, mbështetur edhe nga Mekanizmi i Përbashkët i Emergjencave Civile të Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, vazhdoi vlerësimin teknik të ndërtesave duke e çuar në 400 numrin e objekteve të vlerësuara;
Vazhdoi shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, në qarkun Durrës janë prishur 12 banesa të shkatërruara dhe 5 të tilla në bashkinë Krujë.