Çfarë fsheh Edi Rama pas aksionit anti-evazion të qeverisë

 

 

Prej kohësh qarkullojnë zërat për një plan për të dhënë mbledhjen e TVSH-së me koncesion, në kuadër të të cilit do të realizohet dhe lotaria tatimore. Kjo e fundit ishte planifikuar të fillonte në prill të këtij viti, por më pas u shty, pasi nuk kishte përfunduar ende strategjia antiinformalitet, në kuadër të së cilës ishte planifikuar dhe lotaria.

Financat kanë pranuar zyrtarisht se për lotarinë tatimore po punohet, duke shqyrtuar një propozim të pakërkuar (koncesion).

Burime nga tregu pohojnë se një kompani nga Tajvani, përfaqësuesit e së cilës kanë ardhur shpesh në Shqipëri, është “ofruar” për të krijuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për realizimin e lotarisë së kuponit tatimor.

Nga ana tjetër, shoqëritë e autorizuara të kasave fiskale janë të paqartë nëse lotaria tatimore do të kalojë përmes tyre, ndërsa ata pohojnë se e kanë infrastrukturën e nevojshme për ta realizuar atë. Në një letër që të pesë operatorët e autorizuar i kanë dërguar drejtoreshës së tatimeve dhe ministrit të Financave në janar 2015, që zotërohet nga “Monitor”, thuhet se “me sa jemi në dijeni, Drejtoria e Tatimeve apo Ministria e Financave, prej kohësh kanë organizuar takime apo konsulta me subjekte vendas apo të huaj në lidhje me lotarinë me kuponin tatimor, por në asnjë rast nuk janë organizuar me shoqëritë e autorizuara”.

Kumbaro i Iva Electronic pohon se edhe aktualisht ai nuk është në dijeni zyrarisht se çfarë plani kanë financat. Ai pohon se, sipas informacioneve të tij jo zyrtare, mendohet që sistemi i lotarisë i ofruar nga koncesionari do të integrohet përmes operatorëve të autorizuara, megjithëse shton se e shikon të vështirë për t’u realizuar praktikisht.

Në letër, operatorët e autorizuar pohojnë se kasat fiskale që janë tregtuar në Shqipëri, i kanë të gjitha parametrat për një lotari plotësisht të sigurt të modelit sllovak, pa u bërë asnjë modifikim, duke bërë të mundur që lotaria të aplikohet në kohë rekord. “Nëpërmjet disa ndryshimeve në program dhe realizimit të një algoritmi përkatës në serverin e lotarisë, kasat mund të përshtaten për të realizuar një lotari me kuponët fiskalë. Implementimi do të kërkojë njëfarë kohe. Përvoja ka treguar se ndryshimet e programimeve në kasa nuk kanë qenë një proces i lehtë dhe i shpejtë”, thuhet në letrën dërguar drejtoreshës së tatimeve dhe ministrit të Financave.

Ministria e Financave pranon: Lotaria, po shqyrtojmë një propozim të pakërkuar

Burimet zyrtare nga kabineti i ministrit të Ministrisë së Financave, të pyetura nga “Monitor” lidhur me planin e lotarisë tatimore pohuan se “ministria po punon duke shqyrtuar një propozim të pakërkuar”.

Sipas ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 për koncesionet, neni 2/pika 12, “Propozim i pakërkuar” është propozimi për të marrë përsipër projekte koncesioni, i cili nuk ka ardhur në përgjigje të një kërkese të bërë nga autoriteti kontraktues, brenda kontekstit të një procedure përzgjedhëse konkurruese. Propozimi në këtë rast ka avantazh 5 pikë ndaj propozimeve të tjera, sepse është i pari.‏

Mungesa e bashkëpunimit, sistemi i transmetimit të kasave i vjetëruar

Ka qenë një marrëdhënie “tërhiq e mos këput” ajo mes operatorëve të autorizuar të shpërndarjes së kasave fiskale dhe përfaqësuesve të institucioneve qeveritare. Këto të fundit nuk kanë ngurruar t’i akuzojnë operatorët si “bashkëpunëtorë” në malin e lartë të informalitetit, ndërsa për operatorët e kasave ka munguar dëshira për bashkëpunim, sidomos nga tatimet, ndonëse së fundmi, situata vlerësohet se ka ndryshuar për mirë.

“Në fund të vitit të kaluar kërkuam takim në Drejtorinë e Tatimeve në lidhje me shqetësimet që ka për kasat, por takimi nuk u realizua. Ministri i Financave ka gjetur kohë të na presë, por jo drejtoresha e Tatimeve”, pohoi për “Monitor”, z. Ilir Kumbaro, administrator i IVA Elektronic. “Problemet që kanë vetë ua shkarkojnë të tjerëve”, pohon ai. “Serveri që komunikon me kasat ka dy vjet që nxjerr probleme dhe jo çdo problem që ka në komunikim serveri me kasën është për shkak të kasës”, pohon ai. “Duke mos e kuptuar problemin, ata kujtojnë se problemi jemi ne”, vazhdon ai.

Shqetësimi tjetër që ngre ai është që operatorët e autorizuar të kasave janë injoruar lidhur me planin për organizimin e lotarisë së kuponit tatimor. “Është ngritur një komision për lotarinë dhe nuk është marrë asnjë mendim nga ne. Nuk jemi pyetur se çfarë mundësish dhe kapacitetesh kanë operatorët”, thotë ai, duke shtuar se ata i kanë të gjitha kapacitetet për organizimin e lotarisë. “Përderisa ne jemi në treg për çdo problem, që ka të bëjë me kasat, nuk kemi pse injorohemi kur ka një plan për lotarinë e kuponit tatimor”

“Përderisa biznesi ka paguar për kasën, duhet të vazhdojnë të marrin shërbimet përmes tyre”, thotë ai, duke rikujtuar se kasat janë vendosur disa herë, në vitin 1992, vitin 2002, 2007-2008 dhe kur u ndryshuan për herë të fundit në 2010, iu ngarkua operatorëve të autorizuar.

Edhe Bledar Balla, administrator i shoqërisë së autorizuar AE Distribution, pohon se ka pasur mungesë bashkëpunimi me tatimet, çka nuk i ka nxitur as kompanitë të investojnë në teknologji, por ai shton se së fundi, gjërat janë përmirësuar.

Balla vlerëson masat kundër informalitetit. “Çdo gjë që ka të bëjë me zhdukjen e informalitetit është pozitive”, pohon ai, duke shtuar se nuk është vetëm te kasa, por dhe tek elemente të tjera, si mungesa e licencës. “Evazioni nuk është vetëm te kasa, por është te i gjithë sistemi. Por nëse krijon një sistem që nuk lë mundësi shmangie në çdo hallkë mund të luftohet informaliteti”, shton Balla, duke pohuar se zgjidhja është te krijimi i aksionit zinxhir. “Roli i kasës është se detyron tatimpaguesin të përdorë kuponin tatimor dhe në këtë mënyrë fillon e funksion sistemi”, pohon Balla.

Shoqëritë e autorizuara, gati të investojnë në teknologji

Kur u vendos sistemi i kasave në vitin 2007, ai ishte i një teknologjie të avancuar për kohën. Por me kalimin e viteve, teknologjia avancoi me ritme të shpejta, ndërsa operatorët mbetën prapa. Sot, sistemi i transmetimit të të dhënave ende përdor teknologjinë GPRS, që ishte e përparuar për vitin 2007, por jo për 2015-n.

Operatorët pohojnë se mungesa e bashkëpunimit me financat e tatimet ka qenë një nga arsyet që kompanitë nuk janë nxitur të investojnë në teknologji.

“Ne jemi të gatshëm t’i bëjmë investimet në teknologji, por kanë kosto të lartë dhe duhet të amortizohen me numrin e kasave që duhet të shesim”, pohon Bledar Balla, administrator i shoqërisë së autorizuar AE Distribution. “Ne jemi zbatues i misionit që ka qeveria. Kompanitë i kanë mundësitë të bëjnë investimet në teknologji për një mision të caktuar, nëse ka ide të qarta”.

Ai shton se gjithsesi, së fundmi ka filluar bashkëpunimi dhe optimizmi i operatorëve është rritur dhe i kanë çuar propozime Ministrisë së Financave.

“Në dy vjet është bërë analiza e situatës. Tani jemi në një situatë ku ministria, e cila ka punuar për rregullimin e sistemit në përgjithësi kërkon teknologji më të avancuar dhe kompanitë janë të gatshme të përgjigjen. Është gati teknologjia për kasa që kryejnë monitorimin në kohë reale, për interaktivitet me Ministrinë e Financave dhe me përdoruesit fundorë, çka do të mundësonte realizimin e lotarisë tatimore”.

Ai shton se ditët e fundit, bashkëpunimi ka filluar në rrugë zyrtare në mënyrë intensive.

Potenciali, 120 mijë kasa

Deri para nisjes së aksionit anti informalitet, sipas operatorëve të autorizuar, numri i kasave të shpërndara ishte rreth 60 mijë.

Pas dyndjes së bizneseve javët e fundit, numri i tyre ka arritr në rreth 84 mijë, sipas deklarimeve zyrtare.

Ilir Kumbaro i Iva Electronic pohon se në bazë të numrit të bizneseve të regjistruara në vend dhe duke marrë parasysh se jo të gjithë sipërmarrjet janë të detyruara të pajisen me kasa, vlerësohet se potenciali arrin deri në 120 mijë kasa.(Monitor)

SHKARKO APP