Çfarë fshihet mbas nxitimit të Qeverisë që ndryshe nga OBSH shpall nivelin epidemiologjik “transmetim komunitar”?
Nga Tritan Shehu
Komiteti ka disa ditë që e klasifikon situatën epidemiologjike në vend në nivelin 4 të infektimit, si “transmetim komunitar”, që e lexuar me numrin e lartë të rasteve të reja të çdo dite mund të quhet “jashtë kontrollit”.
Anëtarë të Komitetit, krahas kësaj, deklarojnë se në këtë stad testimet nuk kanë shumë rëndësi, gjë që dhe po të ishim aty nuk është e vërtetë, përkundrazi.
Më tej, Ministria e Shëndetësisë e zëra të Komitetit kërkojnë të ulin vërtetësinë e testimeve shtetërore në 70 % (e vërtetë kjo në qoftë se në përdorim kite kineze), shumë larg parametrave perëndimore.
Ndërsa OBSh në komunikimet e saj edhe të djeshme, vazhdon ta klasifikojë vendin tonë në nivelin 3, atë të “rasteve në grupe”, pra në një nivel ku testimet, identifikimet, izolimet së bashku me mjekimet janë esenciale për mos kalimin në “rënie të lirë”, nivel ku çuditërisht na fut Komiteti.
Klasifikimi i OBSh-së dedukton në një të vërtetë: qendra të infektuara e burim përhapjeje që nga sistemi shëndetësor, institucionet e ndryshme, ndërmarrje e objekte me grumbullime etj, të cilat duhen trajtuar me metoda inteligjente epidemiologjike, testime brenda tyre të kontakteve, testime në terren, identifikime, izolime, etj., për të bllokuar përhapjen.
Të gjitha këto “lojëra” spekulative të Qeverisë kanë për qëllim, krijimin e një tymnaje për të fshehur të vërtetën, justifikimin për numrin e vogël të testimeve, hequr përgjegjësitë për mos marrjen e masave adeguate, apo dhe “djallëzi” të tjera të lidhura me amullinë e çoroditjen e plotë të saj.
Por dikush duhet të kujtojë këta “zëdhënës” se janë në pozita zyrtare, që i ngarkon me detyra e përgjegjësi, pra nuk mund të shprehen sipas ndonjë oportuniteti jo profesional, e as kuturu, dhe as se kështu mund të “lajnë duart”.
Në fakt, këto janë edhe disa nga arsyet pse vendit tonë i duhet një asistencë e gjerë ndërkombëtare për të kaluar këtë periudhë shumë të vështirë, por që siç duket janë e disa nga arsyet pse Qeverisja nuk po e dëgjon këtë kërkesë!