Çfarë po ndodh në Tiranë? Policia arreston 17 qytetarë
Protestat në Shqipëri janë të ndaluara. Policia e Tiranës ka proceduar 17 persona të identifikuar si organizatorë të dy protestave të zhvilluara ditën e djeshme në kryeqytet, njëra për transportin publik dhe tjera kundër ndërtimit të HEC-eve.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se personat e proceduar për organizimin e dy tubimeve të paligjshme të zhvilluara ditën e djeshme në rrugën “Abdi Toptani dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, akuzohen për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Policia sqaron se në të dyja rastet, para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimet u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tyre si dhe u ka kërkuar protestuesve që të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e Policisë dhe nga njëri-tjetri, me qëllim parandalimin e infektimit me Covid-19.
”Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 4 persona, si organizatorë të tubimit tek Ministria e Infrastrukturës dhe për 13 të tjerë, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente”.