Çifti pa shtëpi dhe pa lekë thirrje Ramës: E kemi si baba, pa të jemi të vdekur
Në këtë kohë të pandemisë së Covid-19, ku higjena dhe izolimi janë masa të forta për të mos e marrë virusin, një familje në Shqipëri po jeton në qiell të hapur. Pa shtëpi, pa të ardhura, pa ilaçe, të sëmurë dhe në izolim. Çifti Bica nga fshati Labinot Fushë i Elbasanit, ka vetëm 5 mijë lekë të reja kjo nga përkrahja sociale por borxhet janë të shumta dhe ata janë në kufijtë e mbijetesës.
“Shumë e vështirë është”, thotë Hekurane Bica. “Në këtë situatë që është krijuar, ne jemi akoma më keq, me vetëm 50 mijë lek asistencë. Paguaj vetëm dritat dhe ujin”.
Tërmetet e 2019 i shkatërruan banesën dhe tani ata kanë frikë nga egërsirat e natës. ”Këtu ka hyrë dy herë ariu, e kam parë vetë. Kam frikë se do të na hajë natën”. Shpresa e vetme është tek kryeministri Edi Rama. ”Nëse nuk na mbron ai, që e kemi si baba, ne jemi të vdekur”.