Çifti presidencial Nishani

 

Me nismën dhe nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe Zonjës së Parë, Odeta Nishani, u zhvillua në Pallatin e Brigadave për të tretin vit radhazi “Balloja Presidenciale Shqiptare 2015”, si një mbështetje për Fondacionin “Down Syndrom Albania”.

Ceremonia ku merrnin pjesë figura të njohura publike në Shqipëri, si dhe të ftuarit specialë me Sindromën “Down”, violinisti amerikan Emanuel Bishop dhe piktorja Irma Nika, nisi nën tingujt e “Marshit të Pashait” ekzekutuar nga Orkestra e Radiotelevizionit Shqiptar .

Presidenti Nishani në përshëndetjen e tij përcolli mesazhin se me ndihmën eshoqërisë dhe të institucioneve, rrugëtimi i individëve me këtë sindromë do të jetë më i pavarur dhe gjithëpërfshirës: “Ndihmojini duke e konsideruar atë ndihmë ashtu si ajo ndihmë është; faktor i rëndësishëm që ju lartëson nderin dhe dinjitetin Tuaj si qytetarë aktivë që arsyetojnë, reagojnë, dhe kontribuojnë për të mirën e të gjithëve!”– iu drejtua Kreu i Shtetit shqiptar të ftuarvetë shumtë.

“Sonte këtë Ballo të fundvitit ia kemi dedikuar një realiteti tjetër njerëzor. Një realiteti që nuk dominohet nga racionaliteti, nuk është pjesë e zinxhirit shkak-pasojë, por e diçkaje tjetër, diçkaje të ndryshme. Sonte këtë Ballo ia dedikojmë fëmijëve të ndryshëm nga shumica, të ardhurve në jetë nga “loja” misterioze e kromozomeve, por që, si dhe ne, edhe ata jetojnë, edhe ata ndiejnë, edhe ata shpresojnë, edhe ata, pak ose shumë, në këtë apo atë mënyrë, janë pjesë e realitetit tonë. Janë ata disa prej të cilëve i kemi sonte mes nesh, dhe i përshëndesim, i duam, u themi se ndaj tyre nuk rrimë duarkryq, ndaj tyre kemi detyrime, ata kurrsesi nuk duhet t’i harrojmë, ata duhet t’i ndihmojmë e për ta diçka duhet të bëjmë. Janë ajo pjesë e shoqërisë të cilën e duam në mënyrë të pakushtëzuar, dhe prej të cilës mësojmë diçka tepër të vyer, detyrimin moral që kemi për ta dashur edhe ne vetë njëri-tjetrin. Kjo, për faktin se, nuk janë vetëm ata që kanë nevojë për ndihmën dhe dashurinë tonë, por edhe ne që kemi nevojë po aq sa për dashurinë e njëri-tjetrit edhe për dashurinë e tyre. Problemi nuk është se dikush apo disa prej nesh nuk janë në gjendje të bëjnë këtë apo atë gjë. Në fund të fundit, përfshi mysafirët tanë të cilëve u kemi dedikuar këtë Ballo, nuk ekziston asnjeri që nuk di të bëjë të paktën një gjë. Problemi është që për këta fëmijë dhe të ngjashmit e tyre të mund ta kthejmë “pamundësinë në dukje” në “mundësi reale” për integrim, në mënyrë që edhe ata, si çdo krijesë humane, të gjejë sadopak qetësi, sadopak lumturi, gëzim, jetë, harmoni, dinjitet.” – u shpreh Presidenti Nishani .

Me bindjen e tij njerëzore, qytetare dhe institucionale se “edhe e paarritshmja mund të arrihet, edhe e pamundura mund të realizohet”, Kreu i Shtetit i ftoi të pranishmit: “T’i duam këta fëmijë. Të duash dikë, për më tepër një fëmijë me aftësi të ndryshme, është e pamundur që në një farë mase dhe një lloj mënyre të mos shpërblehesh, e pamundur që ai që e do të mos të dojë. Nga dashuria e jonë për ta, tek dashuria e tyre për ne, nga dashuria në dashuri, gjithçka e mirë mund të arrihet. E kundërta, nëse tregohemi të ftohtë dhe indiferentë, do ishte fatkeqësia më e madhe për ta dhe jo më pak se një veprim i papërgjegjshëm për të gjithë ne. Duhet të na mjaftojë ky konstatim që ndaj tyre të kemi një vlerësim më të arsyeshëm, të mbajmë një qëndrim më korrekt, më objektiv, më të drejtë, më human. Për t’i ndihmuar këta fëmijë të jenë sa më të integruar, sa më afër jetës normale, nuk është nevoja t’i vëmë si qëllim vetes t’i aftësojmë në atë gradë sa të urdhërojmë ndryshime radikale, të rrafshojmë male apo të thajmë dete. Pikësynimet tona do ishin të mjaftueshme, madje edhe shumë më modeste.”

“Sot, kur rreth origjinës së fatkeqësisë së tyre diçka dihet, diçka njihet, përmirësimi i gjendjes së tyre kërkon preokupim serioz. Jo me fjalë e moralizime, por me veprime. Jo duke kursyer por duke shpenzuar. Jo me vonesë, por sa më shpejt. Jo në ndonjë vend të kufizuar për një shtresë të përcaktuar, por në të gjithë vendin dhe për të gjitha shtresat. Jo me ndjeshmëri të skajshme pesimiste apo optimiste, por me sens pozitivizmi objektiv. Të përpiqemi t’i bëjmë, së pari të ndjejnë dhe të besojnë se i duam, për ta sakrifikojmë, dhe nëse e arrijmë t’ua krijojmë këtë ndjesi, gjysma e punës, është bërë. Të bëjmë përpjekje jo vetëm spontane sporadike individuale, të Shoqërisë Civile etj, por edhe institucionale shtetërore të kombinuar si duhet mes hallkave të pushtetit. Të kemi parasysh gjithashtu se punët e vështira, sfidat e mëdha, nuk ekzistojnë për të na dëshpëruar dhe lëshuar, por për të na trimëruar dhe forcuar. Të jesh i pamundur për të bërë ndonjë apo disa punë, nuk do të thotë se je fatalisht i dënuar për të mos mundur të bësh punë të tjera. Natyra ka plot shembuj që një numër krijesash edhe pse duket sikur nuk mund t’i kryejnë disa punë, megjithatë ato punë i bëjnë për bukuri. Asgjë nuk mund të bëhet pa ngjallur së pari shpresën dhe optimizmin.” – nënvizoi Presidenti i Republikës.

Në mbyllje të fjalës së tij Kreu i Shtetit i uroi gjithë shqiptarëve një Vit të Ri sa më të mbarë si dhe drejtoi thirrjen e tij publike dhe qytetare: “Ndihmojini sa të mundni këta fëmijë! Ndihmojini jo për mëshirë, jo sepse të qenit e tyre ndryshe ju prek sentimentalisht, jo si indiferentë, jo si soditës! Ndihmojini duke e konsideruar atë ndihmë ashtu si ajo ndihmë është; faktor i rëndësishëm që ju lartëson nderin dhe dinjitetin Tuaj si qytetarë aktivë që arsyetojnë, reagojnë, dhe kontribuojnë për të mirën e të gjithëve! Të bëjmë çmos t’i ndihmojmë këta fëmijë dhe të ngjashmit e tyre! Në mos për tjetër, për atë që e ka thënë aq bukur një i moçëm: Ta kthejnë fytyrën nga dielli për të mos e parë hijen e tyre të cilën do ta kenë dhe do ta lënë gjithmonë pas!”

Më pas, nën interpretimin e këngëtarëve lirikë: të mirënjohurve Armaldo Kllogjeri, Vikena Kamenica, Besa Llugiqi, etj., të pranishmit shijuan një program muzikor me pjesët më të njohura të repertorit operistik botëror dhe muzikës shqiptare. Balloja Presidenciale Shqiptare 2015 vijoi me tangon e balerinëve të talentuar të Teatrit të Operës dhe Baletit, Isida Mollaymeri dhe Erald Zela si dhe pjesë koncerti nga Zeqir Sulkuqi & Balkan International Music.

SHKARKO APP