Cila grupmoshë ka paga më të larta në Shqipëri?
Një anketë e INSTAT për numrin e të punësuarve me pagë gjatë muajit tetor 2022, për të gjithë ndërmarrjet me mbi 10 të punësuar me pagë verifikoi se të ardhurat nga puna sipas grup-moshës së të punësuarve me pagë, janë më të larta tek personat 40-49 vjeç, me rreth 439 lekë për orë pune, ndërkohë që të ardhurat mesatare orare bruto për një të punësuar me pagë ishin 406 lekë.
Numri i të punësuarve me pagë në ndërmarrjet mbi 10 punonjës ishte ka qene 424.576 në tetor 2022 dhe të ardhurat mesatare mujore për një të punësuar me pagë ishin 70.806 lekë.
Të ardhurat mesatare vjetore nga paga, gjatë vitit 2022, kanë qenë 849.180 lekë. Në numrin e përgjithshëm të të punësuarve me pagë 51,8% ishin femra dhe 48,2% ishin meshkuj. Sipas aktivitetit ekonomik të ndërmarrjes, të punësuarit meshkuj mbizotërojnë në industrinë nxjerrëse me rreth 84,6%, ndërsa femrat mbizotërojnë në sektorin e arsimit me rreth 76,6%. Sipas madhësisë së ndërmarrjes, të punësuarit meshkuj mbizotërojnë tek ndërmarrjet me 10-49 të punësuar dhe të punësuarat femra mbizotërojnë tek ndërmarrjet me mbi 1000 të punësuar.
Gjatë muajit tetor 2022 hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare ka qenë 6,7%. Hendeku gjinor i pagave tregon diferencën midis pagës bruto që merr një burrë dhe asaj që merr një grua, dhe kjo diferencë ka qenë më e madhe në industrinë përpunuese, me 26,99% dhe më e ulët në sektorin e shërbimeve administrative dhe mbështetëse, me 18,6%.
Pabarazia e pagave sipas gjinisë është më e lartë për punonjësit me kohë të pjesshme me 14,2%, ndërsa për punonjësit me kohë të plotë është më e ulët me 6,6%. Sipas kohës së punës, femrat zëne pjesën më të madhe të të punësuarve me kohë të pjesshme me 53,1%, në të kundërt ndër të punësuarit me kohë të plotë femrat zënë 51,8%.
Niveli i pagave, kryeson tregu financiar
Të ardhurat nga puna sipas aktiviteteve ekonomike janë më të larta në aktivitetet financiare dhe të sigurimit me rreth 938 lekë për orë pune. Në këtë aktivitet femrat kanë të ardhura nga puna më të larta se meshkujt, të ardhurat mesatare për orë pune për femrat janë rreth 944 lekë dhe për meshkujt rreth 928 lekë.
Në aktivitetin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, të ardhurat nga puna janë më të ulëtat në rang ekonomie me rreth 264 lekë për orë. Në këtë aktivitet meshkujt kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 275 lekë dhe për femrat rreth 251 lekë.
Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë në aktivitetin e industrisë përpunuese me rreth 26,99%. Në këtë sektor hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në profesionin e specialistëve me arsim të lartë (profesionistë) me rreth 32,48% dhe më i ulët në profesionin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit me rreth 0,65%. Në aktivitetin e shërbimeve administrative dhe mbështetëse, hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët me rreth 18,6%. Në këtë sektor hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në profesionin e teknikëve dhe specialistëve në zbatim, me rreth 38,1% dhe më i ulët në profesionin e zejtarëve, artizanëve dhe profesioneve të lidhura me to, me rreth 100,7%.
Ndërmarrjet e mëdha japin paga më të larta
Të ardhurat nga puna sipas madhësisë së ndërmarrjes Të ardhurat nga puna sipas madhësisë së ndërmarrjes, janë më të larta në ndërmarrjet me 500-999 të punësuar me pagë rreth 518 lekë për orë pune. Në këto ndërmarrje meshkujt kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 520 lekë dhe për femrat rreth 515 lekë.
Të ardhurat nga puna më të ulta në rang ekonomie janë në ndërmarrjet me 10-49 të punësuar me pagë, me rreth 324 lekë për orë. Në këto ndërmarrje të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë më të larta se femrat, përkatësisht me 326 lekë dhe 322 lekë.
Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë në ndërmarrjet me 50-249 të punësuar me pagë me rreth 19,3%. Në këto ndërmarrje hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në profesionin e punonjësve të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve me rreth 24,1% dhe më i ulët në profesionin e nëpunësve me rreth 0,3%.
Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët në ndërmarrjet me 500-999 të punësuar me pagë, me rreth 0,8%. Në këto ndërmarrje, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në profesionin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit me rreth 100% dhe më i ulët në profesionin e menaxherëve me rreth 32,1%.
Te punësuarit me arsim të lartë paguhen më shumë
Të ardhurat nga puna sipas nivelit arsimor të të punësuarve me pagë, janë më të larta ndër të punësuarit me arsim të lartë, me rreth 531 lekë për orë pune. Meshkujt me këtë nivel arsimor kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat. Të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 595 lekë dhe për femrat rreth 487 lekë.
Të ardhurat nga puna janë më të ulëtat në rang ekonomie për të punësuarit me pagë me arsim 8/9 vjeçar, rreth 242 lekë për orë. Meshkujt me këtë nivel arsimor kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkuj janë rreth 247 lekë dhe për femrat rreth 237 lekë.
Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë për të punësuarit me pagë me arsim të larte me rreth 18,1%. Për këta të punësuar, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e transportit dhe magazinimit, me rreth 40,3% dhe më i ulët në aktivitetin e energjisë elektrike, furnizimit me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar, me rreth 14,3%. Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët ndër të punësuarit me arsim 8/9 vjeçar, rreth 3,9% (Fig.6).
Për këta të punësuar hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e ndërtimit me rreth 16% dhe më i ulët në aktivitetin e energjisë elektrike, furnizimit me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar me rreth 39,2%.
40-49 vjeçarët paguhen më shume
Të ardhurat nga puna sipas grup-moshës së të punësuarve me pagë, janë më të larta në grup-moshën e të punësuarve 40-49 vjeç, me rreth 439 lekë për orë pune. Meshkujt në këtë grup–moshë kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkuj janë rreth 464 lekë dhe për femrat rreth 418 lekë.
Të ardhurat nga puna janë më të ulëtat në rang ekonomie për të punësuarit me pagë të grup-moshës më pak se 30 vjeç, rreth 360 lekë për orë. Meshkujt në këtë grup-moshë kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkuj janë rreth 367 lekë dhe për femrat rreth 355 lekë.
Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë për të punësuarit me pagë të grup-moshës 50-59 vjeç, rreth 10,1%. Për këta të punësuar, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e informacionit dhe komunikacionit me rreth 48,98% dhe më i ulët në aktivitetin ekonomik të aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, me rreth 14,8%. Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët për të punësuarit me pagë në grup-moshën mbi 60 vjeç, rreth 6,1%. Për këta të punësuar hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me rreth 31,6% dhe më i ulët në aktivitetin e Aktivitete financiare dhe të sigurimit, me rreth 57,3%.
Menaxherët paguhen më shumë
Të ardhurat nga puna sipas profesioneve të të punësuarve me pagë, janë më të larta në pozicionin e menaxhereve me rreth 891 lekë për orë pune. Femrat në këtë profesion kanë të ardhura nga puna më të larta se meshkujt, të ardhurat mesatare për orë pune për femrat janë rreth 922 lekë dhe për meshkujt rreth 872 lekë.
Për të punësuarit me pagë në profesionin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, të ardhurat nga puna janë më të ulëtat në rang ekonomie, me rreth 224 lekë për orë. Në këtë profesion diferenca e të ardhurave për punë midis femrave dhe meshkujve është shumë e ngushtë, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 223 lekë dhe për femrat rreth 224 lekë. Femrat në këtë profesion kanë të ardhura nga puna pak më të larta se meshkujt.
Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë për të punësuarit me pagë në profesionin e specialistëve me arsim të lartë (profesionistë) me rreth 16,3%. Për këta të punësuar, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse me rreth 42,2% dhe më i ulët në atë të energjisë elektrike, furnizimit me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar, me 10,8%.
Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët për të punësuarit me pagë në profesionin e menaxherëve, me rreth 5,7%. Për këta të punësuar hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e arteve, argëtim dhe çlodhje, me rreth 29,1% dhe më i ulët në aktivitetin e shërbimeve administrative dhe mbështetëse, me rreth 20,5%. Monitor